Secondary Adv

Fitimet e investitorëve të huaj po ulen për herë të parë në pesë vjet

Të ardhurat e investitorëve të huaj në Shqipëri shënojnë rënie në vitin 2025, duke ndërprerë ciklin pesëvjeçar të rritjes së vazhdueshme.

Rënie vjetore e fitimeve në tremujorin e tretë

Sipas të dhënave, në tremujorin e tretë të vitit 2025 të ardhurat e investitorëve të huaj arritën në 253 milionë euro, me një rënie prej 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këto të ardhura përfaqësojnë fitimet e shpërndara ose të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja që operojnë në vend.

 

9-mujori 2025, hera e parë në rënie që nga 2020

Për gjithë 9-mujorin 2025, të ardhurat nga investimet e huaja arritën në 802 milionë euro, 3.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Kjo shënon herën e parë që prej vitit 2020 që fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri regjistrojnë rënie, pas disa vitesh të mbështetura nga rimëkëmbja pas pandemisë dhe zgjerimi i investimeve të reja.

 

Roli i kursit të këmbimit

Një pjesë e ecurisë së mëparshme pozitive ishte ndikuar edhe nga forcimi i Lekut ndaj Euros, i cili kishte rritur në terma statistikorë të ardhurat e investitorëve të huaj të shprehura në monedhën europiane. Gjatë vitit 2025, kursi Euro–Lek është stabilizuar ndjeshëm, me një rënie vjetore rreth 2%, duke ulur ndikimin pozitiv të këtij faktori në rezultatet financiare.

 

Bilanci i të ardhurave nga investimet mbetet negativ

Në të njëjtën periudhë, edhe të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet jashtë vendit ranë në 228 milionë euro, 2.6% më pak se një vit më parë. Bilanci neto i të ardhurave nga investimet mbeti negativ në 575 milionë euro, megjithëse deficiti u ngushtua lehtë me 3.8% krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar.

 

Investimet e huaja direkte në nivele rekord

Pavarësisht rënies së fitimeve, investimet e huaja direkte vijojnë të mbeten në nivelet më të larta historike. Për 9-mujorin 2025, ato arritën në 1.208 miliardë euro, 4.4% më shumë se një vit më parë. Fitimet e riinvestuara zënë një peshë gjithnjë e më të madhe, duke arritur në 632 milionë euro dhe përbërë 52% të totalit të investimeve të huaja direkte gjatë kësaj periudhe.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat