Rekord ndërtimesh, por më shumë se gjysma e shqiptarëve jetojnë në banesa të mbipopulluara
Pavarësisht bumit të ndërtimit dhe shtimit të pallateve e kullave, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të mbipopullimit të banesave në Europë.
57.1% e popullsisë në banesa të mbipopulluara
Sipas të dhënave më të fundit nga Eurostat, 57.1% e popullsisë në Shqipëri jeton në banesa të mbipopulluara, një nivel shumë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian prej 16.9% për vitin 2024. Ky tregues e vendos vendin tonë mes realiteteve më problematike të strehimit në kontinent, pavarësisht intensitetit të lartë të ndërtimit vitet e fundit.
Si përkufizohet një banesë e mbipopulluar
Eurostat e konsideron një banesë të mbipopulluar kur familja nuk ka mjaftueshëm dhoma për numrin dhe strukturën e anëtarëve. Standardi minimal kërkon një dhomë për familjen, një dhomë për çdo çift, një dhomë për çdo të rritur të vetëm dhe hapësira të përshtatshme për fëmijët, sipas moshës dhe gjinisë. Nëse këto kritere nuk plotësohen, banesa klasifikohet si e mbipopulluar, pavarësisht sipërfaqes në metra katrorë.
Rekord ndërtimesh, por jo akses në banesa
Të dhëna të tjera të Eurostat tregojnë se shpenzimet për ndërtimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në Shqipëri arritën në 19.1% në vitin 2023, niveli më i lartë në Europë, kundrejt një mesatareje të BE-së rreth 11%. Megjithatë, ky volum ndërtimi nuk është reflektuar në përmirësim të kushteve të strehimit për familjet.
Apartamentet gjithnjë e më të papërballueshme
Çmimet e apartamenteve janë rritur shumë më shpejt se të ardhurat. Sipas të dhënave të përpunuara më herët, një apartament 70 metra katror kushton rreth 14.8 milionë lekë, nga 7.8 milionë lekë një dekadë më parë. Për ta blerë, nevojiten rreth 18.6 paga vjetore reale bruto, gati 6 vite më shumë se një dekadë më parë, një nga raportet më të larta në Europë.
Krahasimi me Europën
Në Bashkimin Europian, niveli i mbipopullimit të banesave ka ardhur në rënie nga 18.1% në vitin 2014 në 16.9% në vitin 2024. Rumania kryeson vendet e BE-së me 40.7%, e ndjekur nga Letonia, Bullgaria, Polonia dhe Kroacia. Ndërkohë, normat më të ulëta regjistrohen në Qipro, Maltë dhe Holandë.