Secondary Adv

Huamarrja e brendshme e qeverisë do të rritet lehtë në tremujorin e parë 2026

Huamarrja në tregun e brendshëm financiar parashikohet në rritje të lehtë, kryesisht për rifinancim të borxhit ekzistues.

Huamarrja e qeverisë shqiptare në tregun e brendshëm financiar do të rritet lehtë në tremujorin e parë të vitit 2026. Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar do të ketë vlerën e 134 miliardë lekëve, në rritje me 1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Në pjesën më të madhe, huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm financiar konsiston në rinovim ose rifinancim të instrumenteve të maturuara. Rifinancimi i borxhit ekzistues synohet të realizohet kryesisht përmes bonove të thesarit, ndërsa mbulimi i deficitit të ri të krijuar do të bëhet përmes obligacioneve.

 

Instrumente të reja dhe afatgjata

Ministria e Financave ka planifikuar për herë të parë emetimin e obligacioneve 2.5-vjeçare, të cilat do të ofrohen në muajt janar dhe shkurt.Tremujori i parë i vitit 2026 pritet gjithashtu të sjellë mundësi të reja investimi për investitorët e interesuar në instrumente afatgjata. Në muajin janar do të zhvillohet ankandi i pestë për emetimin e obligacioneve 20-vjeçare, ndërsa në muajin mars do të kryhet rihapja e tij.

 

Obligacionet 20-vjeçare janë instrumentet më afatgjata të borxhit të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare dhe u emetuan për herë të parë në vitin 2025.

 

Këto instrumente përbëjnë një alternativë të rëndësishme sidomos për investitorët institucionalë. Veçanërisht për shoqëritë që administrojnë fonde me horizont afatgjatë, si fondet private të pensionit, obligacionet 20-vjeçare krijojnë mundësi për të pasuruar portofolet dhe për të rritur kthimet për anëtarët e tyre.

 

Ankande të tjera gjatë tremujorit

Në muajin janar do të zhvillohet gjithashtu ankandi i ri i obligacioneve 10-vjeçare, ndërsa në muajin mars do të bëhet rihapja e tij. Ndërkohë, në muajin shkurt është planifikuar ankandi i obligacioneve 15-vjeçare.

 

Prirjet sezonale të huamarrjes

Zakonisht, tremujori i parë i vitit përfaqëson periudhën me përqendrimin më të madh të huamarrjes së qeverisë shqiptare. Kjo lidhet kryesisht me prirjen e investitorëve, veçanërisht bankave tregtare, për të realizuar objektivat e buxheteve vjetore që në fillim të vitit.

 

Nga ana tjetër, shpenzimet buxhetore realizohen kryesisht në muajt e fundit të vitit, sidomos për investimet publike. Huamarrja në avancë dhe krijimi i tepricave të mëdha të likuiditetit sjell kosto shtesë për interesa borxhi.

 

Parashikimi për vitin 2026

Megjithëse huamarrja në tremujorin e parë të vitit 2026 pritet të rritet lehtë, në tërësi për gjithë vitin ajo parashikohet të jetë më e ulët krahasuar me një vit më parë.

 

Sipas buxhetit të vitit 2026, vlera e përgjithshme e huamarrjes së re të planifikuar për t’u financuar në tregun e brendshëm është 45 miliardë lekë, rreth 10% më e ulët krahasuar me atë të parashikuar në buxhetin e vitit 2025.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat