Secondary Adv

Konsumi i energjisë në Kosovë thyen rekordet, autoritetet apelojnë për kursim

Kërkesa për energji elektrike në Kosovë ka arritur nivele rekord, duke rritur presionin mbi sistemin energjetik.

Kosova po përballet me një situatë të rënduar energjetike, pasi konsumi i energjisë elektrike ka tejkaluar rekordet e mëparshme të ngarkesës së regjistruar në sistem. Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT ka bërë të ditur se konsumi i rrymës është rritur me 14.33 për qind, ndërsa piku ka arritur në 1468 megavat/orë, duke shtuar rrezikun për mbingarkesë të rrjetit, veçanërisht me hyrjen e sezonit dimëror.

 

Apel për kursim dhe zhvendosje të konsumit

KOSTT ka paralajmëruar se mund të ketë reduktime në furnizimin me energji elektrike, nëse situata vijon të rëndohet, dhe u ka bërë thirrje qytetarëve, institucioneve publike dhe bizneseve që të përdorin energjinë me kujdes. Sipas njoftimit, konsumi më i lartë vërehet kryesisht në intervalet 09:00–12:00, 16:00–20:00 dhe 22:00–23:00, ndaj konsumatorët ftohen të zhvendosin përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë në orë jashtë pikut, veçanërisht pas mesnatës, kur ngarkesa në sistem është më e ulët.

 

Për të mbrojtur pajisjet e sistemit dhe për të shmangur mbingarkesat, janë kërkuar edhe kufizime të ngarkesës në disa nënstacione, përfshirë NS Rahoveci me rreth 12 MW dhe NS Prizreni 1, që mbulon edhe zonën e Dragashit, me rreth 10 MW.

 

Reagime për pasojat ekonomike dhe sociale

Njohësi i çështjeve politike, Shenoll Muharremi, ka reaguar ashpër lidhur me situatën energjetike dhe ekonomike në vend, duke theksuar se qytetarët po përballen me pasiguri dhe varfëri më të madhe, ndërsa energjia elektrike është kthyer në luks. Ai ka kritikuar rritjen e çmimeve të energjisë gjatë viteve të fundit dhe varësinë nga importet e shtrenjta, duke nënvizuar se pavarësisht kostove të larta, mungesat e energjisë vazhdojnë. 

 

Edhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, e ka lidhur situatën me mungesën e investimeve të mjaftueshme në rrjetin e shpërndarjes dhe në kapacitetet e reja prodhuese, si në domenin e KOSTT-it ashtu edhe të KEDS-it. Sipas tij, dështimet institucionale dhe rregullatore po reflektohen drejtpërdrejt tek qytetarët, të cilët përballen njëkohësisht me mungesë energjie, cilësi të dobët të furnizimit dhe fatura më të larta.

 

Ndërprerje dhe varësi nga importet

Qytetarë dhe biznese në disa komuna të Kosovës kanë raportuar ndërprerje të paparalajmëruara të energjisë elektrike, duke shkaktuar vështirësi në aktivitetin ekonomik. Biznesmeni Burim Piraj nga Dragashi ka pohuar se prej disa ditësh janë përballur me mungesë të rrymës, pa marrë shpjegime nga KEDS apo KESCO, duke u detyruar të përdorin agregatë për të mbajtur në funksion pajisjet.

 

Gjatë dy viteve të fundit, çmimi i energjisë elektrike në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme, duke rënduar faturat e konsumatorëve. Ndërkohë, për shkak të vjetërsisë së termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B” dhe prodhimit të kufizuar nga burimet e ripërtëritshme, vendi nuk arrin të mbulojë nevojat për mbi 1.6 milionë banorë, duke u mbështetur ndjeshëm në importe të shtrenjta energjie.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat