Turizmi ngadalësohet në nëntor, të huajt u rritën 4.2 për qind, shqiptarët jashtë për festa
Daljet e shqiptarëve jashtë vendit tejkaluan hyrjet e të huajve në nëntor, duke reflektuar një ngadalësim sezonal të turizmit.
Më shumë dalje sesa hyrje në nëntor
Muaji nëntor shënoi një ngadalësim të ritmit turistik, teksa shqiptarët shfrytëzuan festat kombëtare dhe ditët e pushimit për të udhëtuar jashtë vendit. Të dhënat e Institutit të Statistikave për lëvizjen e shtetasve tregojnë se gjatë nëntorit 2025 në territorin e Shqipërisë kanë hyrë gjithsej 1,282,118 shtetas shqiptarë dhe të huaj, me një rritje vjetore prej 1.4 për qind. Ndërkohë, numri i daljeve arriti në 1,322,499 persona, duke shënuar një rritje më të lartë, prej 3.7 për qind krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar.
Të huajt në rritje, shqiptarët në rënie në hyrje
Sipas INSTAT, gjatë nëntorit 2025 numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në vend ishte 652,150, me një rënie prej 1.3 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024. Në të kundërt, hyrjet e shtetasve të huaj arritën në 629,968 persona, duke shënuar një rritje prej 4.2 për qind. Kjo tregon se, pavarësisht sezonit të ulët, interesi i të huajve për të vizituar Shqipërinë mbetet në rritje.
Daljet e shqiptarëve u rritën ndjeshëm
Sa i përket daljeve, gjatë muajit nëntor 2025 nga territori i Shqipërisë kanë dalë 677,065 shtetas shqiptarë, ose 7.5 për qind më shumë se një vit më parë. Daljet e shtetasve të huaj arritën në 645,434 persona dhe mbetën pothuajse të pandryshuara, me një rënie shumë të lehtë prej 0.01 për qind në krahasim me nëntorin 2024.
Evropa mbetet burimi kryesor i vizitorëve
Sipas INSTAT, 96 për qind e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri gjatë nëntorit 2025 kanë qenë nga vendet e Evropës. Brenda këtij kontinenti, Evropa Jugore zë peshën kryesore me 86 për qind të hyrjeve, e ndjekur nga Evropa Perëndimore me 5 për qind, ndërsa Evropa Qendrore/Lindore dhe Evropa Veriore përfaqësojnë secila rreth 4 për qind.
Turizmi kulturor mban gjallë sezonin e vjeshtës
Turoperatorët vlerësojnë se vjeshta e këtij viti ka pasur një ecuri më të mirë se ajo e vitit të kaluar, me shtatorin dhe tetorin në nivele të kënaqshme. Nëntori, sipas tyre, u karakterizua nga një ngadalësim i natyrshëm sezonal, i ndikuar edhe nga kushtet më pak të qëndrueshme të motit. Vizitorët nga Evropa Perëndimore, veçanërisht nga Italia, Gjermania dhe Franca, po tregojnë interes në rritje për turizmin kulturor dhe udhëtimet jashtë sezonit veror.
Qëllime personale dominojnë udhëtimet
Të dhënat zyrtare tregojnë se në 97 për qind të rasteve hyrjet e shtetasve të huaj në nëntor 2025 kanë qenë për qëllime personale, me një rritje prej 4.5 për qind krahasuar me një vit më parë. Në të kundërt, hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale shënuan rënie me 3.6 për qind.