Secondary Adv

Malaj: Norma efektive e rivlerësimit 5 për qind vetëm për banesat e ndërtuara rishtazi

Ministri i Financave sqaron se norma reale e rivlerësimit për shumicën e banesave është më e ulët, duke reflektuar amortizimin ndër vite.

Norma 5% aplikohet vetëm për banesa të reja

Ministri i Financave, Petrit Malaj, sqaroi se norma 5% e parashikuar në ligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme nuk është një barrë reale për shumicën e banesave ekzistuese, por aplikohet vetëm për banesat e ndërtuara rishtazi. Sipas tij, kjo normë mban parasysh amortizimin e pasurive ndër vite dhe synon një trajtim më të drejtë fiskal.

 

Duke folur në takimin me komunitetin e biznesit mbi Paketën Fiskale dhe politikën e Paqes Fiskale, Malaj theksoi se për banesat e reja nuk ka nevojë reale për rivlerësim, pasi ato supozohet se reflektojnë vlerën aktuale të tregut.

 

Shembuj konkretë të normës efektive

Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, norma efektive e rivlerësimit për individët është dukshëm më e ulët se 5% për banesat që nuk janë të reja. Për një banesë 10-vjeçare, norma reale e rivlerësimit llogaritet rreth 2.4%, ndërsa për një banesë 5-vjeçare ajo arrin afërsisht në 3.2%.

 

Ministri theksoi se këto diferenca reflektojnë pikërisht amortizimin e pasurive dhe synojnë të shmangin penalizimin e pronarëve të banesave më të vjetra.

 

Asnjë ndryshim i menjëhershëm për tatimin mbi fitimin

I pyetur nëse po shqyrtohet një ulje e normave tatimore për fitimin nga transaksionet me pasuritë e paluajtshme, Malaj u shpreh se aktualisht Ministria e Financave nuk po vlerëson një ndryshim të tillë. Arsyeja, sipas tij, lidhet me procesin e gjerë të rishikimit të kuadrit fiskal në funksion të përafrimit me kërkesat dhe direktivat e Bashkimit Europian.

 

“Jemi duke punuar që i gjithë kuadri ynë fiskal të unifikohet dhe të jetë në përputhje me standardet e BE-së. Nëse këto standarde parashikojnë norma më të ulëta për transaksionet e pasurive të paluajtshme, atëherë edhe ne do të ecim në atë drejtim”, u shpreh Malaj.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat