Secondary Adv

Marrëveshja me tatimet për Paqen Fiskale, nga janari 2026 kërkesa do dorëzohet në e-Tax

Nga janari 2026 nis zbatimi i ligjit për Paqen Fiskale, ndërsa bizneset që synojnë të hyjnë vullnetarisht në marrëveshje me administratën tatimore do të aplikojnë online përmes sistemit e-Tax.

Aplikimi online dhe roli i Tatimeve

Sipas shpjegimeve të Ministrit të Financave, kërkesa për marrëveshjen e Paqes Fiskale do të dorëzohet elektronikisht nga subjektet përmes platformës e-Tax. Pas dorëzimit, ajo do të shqyrtohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe më pas do t’u delegohet drejtorive rajonale tatimore për vijimin e procedurës. Paralelisht, pritet që brenda një afati të shkurtër të publikohen edhe udhëzimet zbatimore që do të detajojnë të gjithë hapat e procesit.

 

Kush përfshihet në marrëveshje

Ligji parashikon se në marrëveshjen për Paqen Fiskale mund të hyjnë bizneset me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë në vit, qofshin persona fizikë apo subjekte juridike, të cilat nuk përfitojnë nga norma të reduktuara apo përjashtime tatimore. Marrëveshja do të ketë afat njëvjeçar, me të drejtë rinovimi deri në dy herë.

 

Si llogaritet parapagimi i tatimit

Gjatë periudhës së marrëveshjes, biznesit do t’i llogaritet parapagimi i tatimit mbi një bazë të tatueshme të rritur. Kjo bazë përbëhet nga fitimi i tatueshëm i vitit të mëparshëm, i shtuar me një marzh prej 18%. Nëse në fund të vitit fitimi real rezulton më i lartë se ky nivel i vlerësuar, mbi diferencën do të aplikohet një tatim shtesë prej 5%.

Në thelb, marrëveshja nuk ndryshon normën standarde të tatim-fitimit prej 23% për bizneset mbi pragun 14 milionë lekë, por rrit bazën e tatueshme mbi të cilën llogaritet tatimi. Norma 5% aplikohet vetëm për pjesën e fitimit që tejkalon kufirin e paracaktuar.

 

Përfitimet për bizneset

Në këmbim të kësaj marrëveshjeje, bizneset përfitojnë moskryerje të kontrolleve tatimore për periudhën e zbatimit të saj. Gjithashtu, subjektet që lidhin Paqen Fiskale do të kenë të drejtën të rideklarojnë pasqyrat financiare të pesë viteve të fundit kundrejt një tatimi 5%.

Kjo skemë përfshin raste si rivlerësimi i gjendjes së parasë cash, fshirja e aktiveve apo detyrimeve fiktive, deklarimi i pasurive të padeklaruara më parë, si dhe rideklarimi i fitimeve të mbartura dhe shpërndarja e tyre si dividentë. Për këto korrigjime nuk do të aplikohen gjoba, interesa apo kamatëvonesa, për sa kohë tatimpaguesi deklaron paraprakisht përfshirjen në marrëveshje.

 

Përjashtimet nga skema

Ligji përjashton nga kjo marrëveshje bizneset ndaj të cilave janë hapur çështje penale për mashtrim ose evazion fiskal, të cilat nuk mund të përfitojnë nga garancia e moskontrollit tatimor.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat