Paralizohen bizneset: Nuk kryhet dot asnjë veprim online, situatë e patolerueshme
Mosfunksionimi i njëkohshëm i disa platformave kryesore digjitale ka krijuar një situatë të rëndë për bizneset dhe individët, duke bllokuar shërbime bazë dhe procese jetike administrative.
Shërbimet online jashtë funksionit
Bizneset dhe qytetarët po përballen prej disa ditësh me vështirësi serioze në kryerjen e shërbimeve online. Edhe pse platforma e-Albania hapet normalisht, në momentin që përdoruesit tentojnë të kryejnë një shërbim konkret, sistemi rezulton i padisponueshëm. Kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në aktivitetin e përditshëm të bizneseve, të cilat raportojnë se sistemet bazë operative nuk funksionojnë.
Bllokim në QKB dhe shërbimet mbështetëse
Në Qendrën Kombëtare të Biznesit nuk po kryhen aplikime për regjistrimin e shoqërive të reja apo për ndryshime të rëndësishme si shitja e kuotave apo rritja e kapitalit. Edhe sistemi “SelfCare”, përmes të cilit nxirren faturat, funksionon me ndërprerje ose nuk punon fare. Ndërkohë, sistemi i tatimeve vijon të operojë normalisht, por shumë shërbime të ndërlidhura përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit nuk janë funksionale.
Individët të prekur nga ndërprerjet
Problemet nuk prekin vetëm bizneset. Individët nuk arrijnë të kryejnë rezervime për pasaporta apo karta identiteti, pasi sistemi i gjendjes civile nuk funksionon. Në e-Albania është njoftuar se Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile po kryen mirëmbajtje dhe përmirësime teknike, çka ndikon drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve. Kjo situatë ka reflektuar pasoja edhe për bizneset, të cilat nuk mund të aplikojnë për raporte përfitimesh afatshkurtra për punonjësit, si rastet e barrëlindjes.
Reagimi i ekspertëve
Sipas ekspertit fiskal, rënia ose mosfunksionimi i njëkohshëm i sistemeve kryesore digjitale përbën një shqetësim serioz për funksionimin normal të aktivitetit ekonomik dhe marrëdhënien e bizneseve me administratën publike.
Ai thekson se këto platforma janë kthyer në infrastrukturën bazë për regjistrime, deklarime, aplikime, pagesa dhe përmbushje detyrimesh ligjore, ndërsa ndërprerja e tyre krijon pasiguri juridike, vonesa procedurale, rrezik penalitetesh dhe kosto shtesë për bizneset dhe profesionistët e lirë.
Kërkesat e biznesit
Në këtë kontekst, bizneset vlerësojnë si të domosdoshme transparencë më të madhe mbi shkaqet dhe kohëzgjatjen e ndërprerjeve, forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemeve digjitale, si dhe parashikimin e procedurave alternative me shtyrje automatike të afateve ligjore në raste mosfunksionimi. Po ashtu, kërkohet komunikim i qartë dhe në kohë me përdoruesit për të shmangur pasigurinë dhe keqinterpretimet.
Sipas Saraçit, digjitalizimi mbetet një arritje e rëndësishme, por kërkon investim të vazhdueshëm, testim rigoroz dhe një qasje serioze ndaj riskut operacional, në mënyrë që shërbimet publike digjitale të jenë të besueshme, funksionale dhe të qëndrueshme.