Secondary Adv

Turizmin këtë vit e mbajti Kosova dhe italianët, bien polakët dhe spanjollët

Turizmi vijoi të rritet edhe në nëntor, por me ritëm më të ngadaltë, teksa pesha kryesore e vizitorëve u mbajt nga Kosova dhe Italia.

Kosova dhe Italia, motorët e turizmit në nëntor

Turizmi në Shqipëri shënoi ecuri pozitive edhe gjatë muajit nëntor, megjithëse me ritme më të moderuara për shkak të kushteve sezonale. Sipas të dhënave zyrtare të Lëvizjes së Shtetasve, Kosova mbeti burimi kryesor i vizitorëve, duke përfaqësuar 39 për qind të totalit të hyrjeve. Gjatë muajit të 11-të të vitit hynë në vend rreth 245 mijë shtetas nga Kosova, me një rritje prej 6.4 për qind krahasuar me një vit më parë. Italia renditet e dyta për nga pesha, me mbi 79 mijë vizitorë gjatë nëntorit dhe një rritje prej 7.7 për qind në raport me vitin e kaluar. Greqia regjistroi mbi 52 mijë hyrje, me një rritje 5.7 për qind, ndërsa të njëjtën peshë mbajtën edhe hyrjet nga Maqedonia e Veriut.

 

Ture kulturore dhe interesa të reja nga Europa Perëndimore

Rritje u regjistrua edhe nga tregje të tjera si Gjermania, me 9.5 për qind më shumë vizitorë, ndërsa Izraeli shënoi një rritje shumë të fortë, gati pesëfish krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. Turoperatorët vlerësojnë se interesimi në rritje për ture kulturore, linjat ajrore me kosto të ulët dhe fluturimet direkte kanë ndikuar ndjeshëm në zgjerimin e sezonit turistik përtej verës.

 

Ecuria e 11-mujorit, rritje e moderuar por e qëndrueshme

Në fund të nëntorit, numri total i turistëve të huaj që hynë në Shqipëri arriti në 11.7 milionë, me një rritje prej 6.6 për qind krahasuar me 11-mujorin e vitit 2024. Sipas operatorëve turistikë, kjo rritje e moderuar ishte e pritshme dhe pritet të vijojë edhe gjatë vitit të ardhshëm. Turizmi patriotik mbeti dominues, me 4.4 milionë hyrje nga Kosova, që përfaqëson 37.4 për qind të totalit. Italia renditet e dyta me 10.1 për qind të vizitorëve, ndërsa italianët po shpërndahen gjithnjë e më shumë gjatë gjithë vitit, duke preferuar qytetet dhe turizmin urban, për shkak të rritjes së çmimeve në bregdet.

 

Bie interesi nga Polonia dhe Spanja

Ndryshe nga tregjet kryesore, Polonia shënoi rënie me 8.6 për qind gjatë 11-mujorit, ndërsa Spanja ra me 2.7 për qind. Sipas turoperatorëve, kjo lidhet kryesisht me uljen e udhëtimeve individuale, ndërsa kontratat me garanci janë respektuar. Në të kundërt, Gjermania shënoi rritje 21 për qind dhe Franca 35 për qind, duke u konsoliduar si tregje strategjike për turizmin jashtë sezonit.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat