Bizneset akoma pa impiante për ujërat e ndotur, afati i Task-Forcës shtyhet deri në dhjetor 2026
Qeveria ka vendosur të zgjasë deri më 1 dhjetor 2026 afatin e veprimtarisë së Task-Forcës për monitorimin dhe kontrollin e trajtimit të ujërave të ndotura, pas dështimit të zbatimit të detyrimit për vendosjen e impianteve nga ana e bizneseve.
Zgjatje e afatit për kontrollin mjedisor
Me një vendim të ri, është shtyrë deri më 1 dhjetor 2026 veprimtaria e Task-Forcës që monitoron, inspekton dhe merr masa administrative për trajtimin e ujërave të ndotura që shkarkohen pranë ose në ujëra larëse, në zonat bregdetare, liqenore dhe lumore. Vendimi synon forcimin e kontrollit mjedisor në zona me presion të lartë turistik dhe ekonomik, për të parandaluar ndotjen dhe për të garantuar standarde më të larta shëndetësore e mjedisore.
Cilat subjekte janë në fokus
Dispozitat e aktit normativ të miratuar fundvitin e kaluar përfshijnë një gamë të gjerë subjektesh ekonomike që prodhojnë ujëra të ndotura pranë ose në ujëra larëse. Në fokus janë strukturat akomoduese dhe shërbimet turistike, përfshirë agroturizmet, bujtinat, hostelet, fshatrat turistikë tradicionalë, strukturat “fjetje dhe mëngjes”, hotelet, kampingjet, resortet, motelinë, si edhe bare, restorante dhe mensa që operojnë në zona bregdetare, liqenore apo pranë lumenjve.
Këto subjekte janë të detyruara të pajisen me impiante ose sisteme individuale për trajtimin e ujërave të ndotura, duke zëvendësuar gropat septike dhe duke respektuar rregulloren teknike për shkarkimet.
Kompetencat dhe masat ndëshkuese
Task-Forca ka kompetenca për kontrolle në terren, mbledhje të dhënash dhe vendosje masash administrative. Ajo krijon një databazë për subjektet që shkarkojnë ujëra të ndotura, evidenton sistemet e kanalizimeve dhe teknologjitë e përdorura, si dhe bashkëpunon me inspektoratet mjedisore, sanitare dhe bashkitë. Pas inspektimeve, subjektet duhet të vendosin edhe tabela informuese në vende të dukshme, që tregojnë nëse ujërat e zeza trajtohen apo jo.
Regjimi i gjobave është i diferencuar sipas kategorive. Për mosvendosjen e impiantit apo sistemit individual të trajtimit të ujërave të ndotura, subjektet e kategorisë I gjobiten nga 1.5 deri në 1.85 milionë lekë, ato të kategorisë II nga 1.9 deri në 2.2 milionë lekë, ndërsa subjektet e kategorisë III nga 2.4 deri në 2.65 milionë lekë. Në të njëjtin nivel ndëshkohet edhe zhvilluesi ose ndërtuesi i fshatrave turistikë. Mosvendosja ose heqja e tabelës informuese dënohet me 100 mijë lekë gjobë.
Kundërshtime dhe mungesë rezultatesh
Megjithatë, deri më tani, vendosja e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura është kundërshtuar nga shumë subjekte, të cilat pretendojnë se kostot janë shumë të larta dhe të papërballueshme. Si pasojë, Task-Forca nuk ka arritur të jetë efektive dhe nuk ka një bilanc të qartë për veprimtarinë e saj, as për numrin e gjobave të vendosura, duke e bërë të domosdoshme shtyrjen e afatit të funksionimit të saj.