Secondary Adv

FMN kërkon mbikëqyrje për Bankën e Zhvillimit: Kujdes me kreditë për pasuri të paluajtshme

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se Banka Shqiptare e Zhvillimit mund të shndërrohet në burim rreziku fiskal dhe financiar nëse nuk i nënshtrohet një kuadri të fortë qeverisjeje.

Banka e Zhvillimit nën lupën e FMN-së

Në raportin e fundit për Shqipërinë, FMN thekson se krijimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit, e shpallur në prill 2025 me kapital fillestar 10 miliardë lekë nga Ministria e Financave, mbart rreziqe të konsiderueshme nëse nuk shoqërohet me qeverisje të fortë institucionale. Sipas FMN-së, banka duhet të ketë kontrolle të brendshme solide, menaxhim profesional të riskut, mbikëqyrje efektive nga autoritetet bankare, transparencë të plotë dhe raportim të rregullt financiar.

 

Fondi nënvizon se aktiviteti i saj duhet të fokusohet në korrigjimin e dështimeve të tregut dhe në financimin e projekteve që nuk do të realizoheshin ndryshe, duke shmangur konkurrencën me bankat private dhe zhvendosjen e kapitalit privat. Gjithashtu, FMN sugjeron që roli i bankës të jetë i kufizuar në kohë dhe i orientuar drejt krijimit të vlerës së shtuar për ekonominë.

 

Sistemi bankar i qëndrueshëm, por me sinjale paralajmëruese

Raporti vlerëson se sistemi bankar shqiptar mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid, me raport kapitali në nivelin 19.3% dhe mbulim likuiditeti rreth 275%, shumë mbi kërkesat minimale rregullatore. Testet e stresit tregojnë rezistencë ndaj goditjeve si rritja e kredive me probleme, luhatjet e normave të interesit apo zhvlerësimi i kursit të këmbimit.

 

Megjithatë, FMN vëren se gjatë vitit 2025 është rritur diferencimi mes bankave, ku disa institucione janë bërë më të ndjeshme ndaj goditjeve, veçanërisht për shkak të ekspozimeve të mëdha ndaj huamarrësve të vetëm. Një tjetër shqetësim është pesha e lartë e titujve sovranë në bilancet bankare, që arrin rreth 28% të aktiveve totale, dukshëm mbi mesataren e rajonit dhe të Bashkimit Europian.

 

Rritje e fortë e kredive për pasuri të paluajtshme

FMN evidenton rritjen e shpejtë të kredive për pasuri të paluajtshme, të cilat janë zgjeruar me 14% në baza vjetore deri në tremujorin e tretë të vitit 2025. Hendeku kredi ndaj PBB për familjet ka kaluar për herë të parë në territor pozitiv që nga viti 2009, duke sinjalizuar rritje të rrezikut financiar.

 

Sipas raportit, një pjesë e konsiderueshme e kredive të reja kanë raporte të larta hua ndaj vlerës dhe hua ndaj të ardhurave, çka rrit ndjeshmërinë e familjeve ndaj goditjeve ekonomike. Për më tepër, rreth një e katërta e kredive familjare vijojnë të jenë në valutë të huaj, shpesh pa mbrojtje ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.

 

Nevoja për masa më të forta makroprudenciale

FMN vlerëson përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për forcimin e kuadrit makroprudencial, përfshirë masat e bazuara te huamarrësi për kreditë e reja rezidenciale dhe rritjen graduale të buffer-it kundërciklik të kapitalit në 0.5% deri në fund të vitit 2025. Megjithatë, sugjerohet që ky instrument të evoluojë drejt një norme neutrale pozitive dhe të përfundojë kuadri për buffer-in e rrezikut sistemik.

 

Raporti kritikon gjithashtu lehtësimet e fundit në kërkesat e kapitalit dhe ekspozimeve të mëdha për kreditë që financojnë projekte infrastrukturore strategjike, duke theksuar se këto masa nuk janë plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe nuk duhet të përdoren si instrument nxitës sektorial.

 

Sektori jobankar dhe bashkëpunimi institucional

Me rritjen e kompleksitetit financiar, FMN thekson nevojën për forcimin e mbikëqyrjes së sektorit jobankar, i cili përfaqëson më pak se 10% të aktiveve financiare. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duhet të intensifikojë mbledhjen e të dhënave, monitorimin e rreziqeve dhe mbikëqyrjen e lidhjeve mes bankave dhe institucioneve jobanka. Një shqetësim i veçantë mbetet mosfunksionimi prej më shumë se tre vitesh i Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar, i cili konsiderohet thelbësor për koordinimin ndërinstitucional.

 

Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat