Secondary Adv

Furnizimi me ujë në Gjirin e Lalzit, Ujësjellësi i Durrësit hap tender për zonat me probleme

Ujësjellës-Kanalizime Durrës ka çelur një procedurë tenderi për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në disa zona problematike të Gjirit të Lalzit, me fokus zonat turistike dhe banesat rezidenciale.

Investim rreth 650 mijë euro për rrjetin e ujësjellësit

Sipas dokumentacionit zyrtar, ndërhyrja parashikon një investim prej rreth 650 mijë eurosh dhe do të realizohet përmes një kontrate “çelësa në dorë”, e cila përfshin të gjitha fazat e projektit, nga projekt-ideja deri te zbatimi i plotë në terren. Ndërhyrja synon përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në fshatin Fushë-Draç dhe në zonat turistike të Gjirit të Lalzit, ku janë evidentuar boshllëqe të theksuara në rrjet dhe probleme me presionin dhe debitin e ujit.

 

Projektim dhe zbatim me afate të përcaktuara

Dokumentet e tenderit specifikojnë se faza e projekt-idesë dhe hartimi i projektit të plotë të zbatimit do të realizohen brenda 30 ditëve nga data e lidhjes së kontratës. Ndërkohë, afati për kryerjen e punimeve ndërtimore është parashikuar të jetë 5 muaj nga momenti i lirimit të sheshit të ndërtimit. Projekti do të adresojë boshllëqet në linjat kryesore dhe shpërndarëse të ujësjellësit, me qëllim garantimin e presionit optimal dhe furnizimit të qëndrueshëm në të gjitha nyjet e rrjetit.

 

Reduktim humbjesh dhe rritje e kapacitetit

Ujësjellës-Kanalizime Durrës argumenton se kjo ndërhyrje synon rritjen e kapacitetit dhe funksionalitetit të sistemit ekzistues, përmirësimin e eficiencës së menaxhimit të ujit dhe reduktimin e humbjeve në rrjet. Gjithashtu, projekti parashikon garantimin e standardeve të cilësisë dhe sigurisë së ujit të pijshëm, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë së rrjetit për t’u përballur me nevojat aktuale dhe zhvillimet e ardhshme urbane dhe turistike në zonë.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat