Zona ekonomike e Spitalles,me 23 dhjetor perfundon afati per dorezimin e ofertave
Brenda kësaj jave pritet të hapen ofertat për pjesëmarrjen në tenderin për zonën ekonomike zhvillimore të Spitallës. Afati që ka vendosur Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes është data 23 dhjetor.
Tenderi dështoi në fillim të vitit kur qeveria shqiptare shpalli fituese kompaninë kineze “Zhejiang Haiteng Investment Co” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co”, sepse pas kërkimeve rezultoi se ofertuesi nuk ishte serioz për të zhvilluar parkun e parë teknologjik në Shqipëri.Zona e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik e Spitallës shtrihet në një sipërfaqe prej 500 hektarësh dhe do të jepet në përdorim dhe mirëmbajtje për 99 vjet. Zona ka afërsi me Portin e Durrësit, më të madhin dhe më të rëndësishmin në Shqipëri, ndodhet vetëm 30 km larg aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe 37 km nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana.
Vlera e kërkuar e sigurimit të ofertës është 15 miliionë lekë dhe lloji i procedurës është konkurruese.Në kriteret e vlerësimit, propozimi teknik për ndërtimin e zonës do të vlerësohet me 25 pikë, ndikimi në mjedis me 10 pikë, ndikimi social me 15 pikë, koha e përfundimit të investimit me 10 pikë dhe kapaciteti financiar dhe mundësia e financimit të projektit (plani i biznesit) me 40 pikë.Tenderi ndërkombëtar për zhvillimin e zonës teknologjike të Spitallës në Qarkun e Durrësit u hap në qershor të vitit të kaluar. Përmes tij, qeveria shpresonte të tërhiqte mbi 1 miliard euro investime.
Kriteret e përzgjedhjes së fituesit:
Nr. Kriteri Pikët 1 Propozimi teknik për ndërtimin e zonës 25 2 Ndikimi mjedisor 10 3 Ndikimi social 15 4 Koha e përfundimit të investimit 10 5 Kapaciteti financiar dhe mundësia e financimit të projektit (plani i biznesit) 40 TOTALI 100