Ekonomia e varur nga importet, Kosova me 469.9 mln euro deficit tregtar në nëntor
Deficiti tregtar i Kosovës ka arritur në 469,9 milionë euro gjatë muajit nëntor 2025, duke shënuar një rritje prej 4.8 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat e Statistikave të Tregtisë së Jashtme për muajin nëntor 2025, të cilat tregojnë se deficiti tregtar i Kosovës ka mbetur pothuajse i pandryshuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, deficiti tregtar në nëntor 2025 arriti në 469,9 milionë euro, që paraqet një ndryshim minimal prej 0,0% krahasuar me nëntorin e vitit 2024, kur deficiti ishte 470,0 milionë euro.
Në këtë periudhë, eksporti mbuloi importin me 15,7%. Vlera e eksporteve të mallrave në nëntor 2025 ishte 87,7 milionë euro, ndërsa importet arritën në 557,6 milionë euro.
Krahasuar me një vit më parë, eksportet shënuan rënie prej 9,5%, ndërsa importet ranë për 1,6%.
Në strukturën e eksporteve, peshën më të madhe e kishin metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 20,3%, të pasuara nga produktet minerale (15,4%), plastika dhe goma (11,2%), ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (11,1%), si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar (10,2%).
Partnerët tregtarë kryesorë
Eksportet e Kosovës vazhdojnë të orientohen kryesisht drejt vendeve të rajonit dhe BE-së.
Shqipëria zë vendin e parë me 20.4% të eksporteve,
Zvicra me 10.6%,
Gjermania me 8.3%,
Maqedonia e Veriut me 7.9%.
Nga ana tjetër, importet dominohen nga:
Gjermania me 11.7%,
Turqia me 10.9%,
Serbia me 8.4%,
Kina me 7.2%.
Ndërkohë, importet dominoheshin nga makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike me 13,3%, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 13,1%, produktet minerale me 13,0% dhe mjetet e transportit me 12,4%.
Sa i përket tregtisë me Bashkimin Evropian, eksportet e Kosovës drejt vendeve të BE-së arritën në 26,6 milionë euro, ose 30,3% të eksporteve totale, duke shënuar rënie prej 20,9%.
Partnerët kryesorë të eksportit në BE ishin Gjermania, Italia dhe Holanda.
Importet nga BE-ja kapën vlerën 240,3 milionë euro, apo 43,1% të importeve të përgjithshme, me rënie prej 0,9%.
Eksportet me vendet e CEFTA-s arritën në 42,8 milionë euro, ose 48,8% të eksporteve totale, me rënie prej 6,1%.
Partnerët kryesorë në këtë grup ishin Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi.
Ndërkaq, importet nga CEFTA shënuan rritje prej 6,2%, duke arritur në 76,5 milionë euro.
Eksportet drejt vendeve të tjera arritën në 18,3 milionë euro, ose 20,9%, ku Zvicra dhe Turqia ishin partnerët kryesorë. Importet nga këto vende kapën vlerën 240,8 milionë euro, me Turqinë dhe Kinën si burimet kryesore të importit.