636 mld euro nga konsumi në 11 mujor, buxheti arkëtoi 89 mln euro më shumë nga TVSH
Viti 2025 ka shënuar një rritje të konsiderueshme të konsumit në vend.
Qytetarët shqiptarë por edhe turistët e huaj kanë shfaqur tendencën për të shpenzuar më shumë për produkte dhe shërbime përgjatë periudhës janar-nëntor 2025.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, është zëri me performancën më pozitive, pas tatimit mbi të ardhurat personale, në të hyrat tatimore në 11 mujor.
Konkretisht të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizuan në shumën 63.6 miliardë lekë miliardë lekë apo rreth 636 milionë euro.
Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë mbledhur afro 89 milionë euro më shumë, apo16.3% më shumë.
Po ashtu janë arkëtuar 23 milionë euro ose 3.7% më shumë se plani i periudhës Rimbursimet e dhëna për periudhën Janar – Nëntor 2025 janë në shumën 224 milionë euro.
Ndër faktorët që kanë ndikuar në këtë perfomancë është rritja graduale e numrit të turistëve në vendin tonë, të cilët përpos interesit për zonat bregdetare, kanë pasur interes të shtuar për zonat historike dhe malore. Duke qenë se linjat ajrore low cost ofrojnë çmime të lira biletash, agjenci të ndryshme organizojnë udhëtime me gudia për turistët. Po ashtu edhe kushtet atmosferike kanë qenë favorizuese, duke bërë që turizmi të prodhojë konsum të lartë në të gjitha sezonet.
Ndërkaq, një faktor tjetër që ka ndikuar në këtë performancë pozitive të të ardhurave ka qenë dhe reforma e pagave në administratë, për një sërë kategorish që paguhen nga buxheti i shtetit, duke u dhënë kështu shumë mundësi qytetarëve për të shpenzuar. Kjo reformë ka vënë në lëvizje edhe sektorin privat duke nxitur në mënyrë indirekte rritje në paga, çka ka sjellë dhe konsum të shtuar.
Nga ana tjetër, një përqindje inflacioni më e stabilizuar përgjatë këtij viti është reflektuar në më shumë konsum.