
Formula e re per pronaret, ATP: Kompensimi progresiv, si perfitohet pagesa e pershpejtuar
Drejtuesja e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Sonila Qato bën të ditur se për vitin e ardhshëm do të jetë risi aplikimi i formulës së kompensimit progresiv.
Kjo formulë e testuar me 4 dosjet e para këtë vit, krahas kompensimit të shpejtë, mundëson edhe menaxhim më të mirë të fondit buxhetor të destinuar për kompensimin e pronarëve. Ligji i ri për kthimin dhe kompensimin e pronave u ankimua në Gjykatën Kushtetuese e tashmë pritet publikimi i vendimit përfundimtar. Ndërsa, për kreun e qeverisë, reforma në drejtësi konsiderohet si një reformë me impakt të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e problematikës së pronësisë në vend.
Në ceremoninë e inaugurimit të ambienteve të reja të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, kryeministri Edi Rama kritikoi punën e deritanishme të gjykatave për çështjet e pronësisë, ndërsa theksoi se përmes saj do t’u jepet fund padrejtësive për pronat. Ndërsa vlerësoi reformimin e institucionit që trajton çështjet e pronësisë, kryeministri vendosi theksin te ligji i ri për kthimin dhe kompensimin e pronës. Ky ligj, sipas kryeministrit, për herë të parë vendos një afat për zgjidhjen e çështjes së kompensimit të pronarëve e shoqërohet nga një fond 500 milionë dollarë. Deklaratat u bënë gjatë inaugurimit të ambienteve të reja të ATP-së, ku drejtoresha e këtij institucioni pohoi se agjencia ka një fytyrë të re, por jo vetëm kaq.
“Tre vjet më parë Agjencia ishte institucioni ku neglizhenca administrative e pashembullt i përshtatej ekzaktësisht damkës së errët në mënyrën se si është trajtuar çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave në vendin tonë. Sot ATP-ja mban peshën e trashëguar të një barre 25- vjeçare për përfundimin e këtij procesi të tejzgjatur. Në programin e saj qeverisës të këtij mandati qeveria premtoi një zgjidhje të qëndrueshme të çështjes së pronarëve të vjetër, përmes fazave të identifikimit të faturës totale të kompensimit të pronarëve dhe krijimit të një skeme efektive për mbylljen e procesit përmes miratimit të një matrice plani masash, të miratuara nga qeveria në muajin prill të vitit 2014”, – tha Qato.
Kryeministri
“Ligji për kthimin e pronave, i cili u miratua në vitin 2004, pësoi ndryshime të vazhdueshme, dhe faktikisht i gjithë legjislacioni i pronës është një truall ku më në fund ne vendosëm piketat e së ardhmes, pasi trashëguam një tërësi kontradiktash të panumërta në nene, paragrafë dhe dokumente që kundërshtonin haptazi njëratjetrën. Faktikisht, ligjit të parë nuk i mbeti as nam, as nishan në rrugën e zbatimit të tij, dhe ajo që solli zbatimi ishte më shumë kaos, më shumë pasiguri, më shumë padrejtësi”, – tha Rama gjatë aktivitetit.
“500 milionë dollarë ne i kemi vënë në dispozicion të këtij procesi dhe në 8 muaj, 20 milionë janë vënë nga buxheti për këtë proces. Ndërkohë që, në 8 vjet ishin vetëm 42 milionë gjithsej, dhe ato të shpërndara mos pyet, se nuk po i hyjmë asaj bisede”, – deklaroi Rama.Sipas kreut të qeverisë, sot ka një perspektivë, ka një dritë jeshile për të gjithë ata që për 20 e kusur vite kanë mbetur pa përgjigje dhe ka më në fund rrugëdalje nga ky tunel i tmerrshëm, që nuk është vetëm tuneli i atyre që kanë një pronë për të kompensuar, por është tuneli i ekonomisë sonë, është tuneli i perspektivës së ekonomisë dhe të shoqërisë sonë, që pa e zgjidhur një herë e mirë këtë problem, nuk mund të synojmë kapërcime të mëdha dhe plotësisht të merituara edhe në aspektin e rritjes së mirëqenies dhe të konsolidimit të qëndrueshëm të rritjes së ekonomisë”, – u shpreh më tej Rama.
Pagesat e përshpejtuara
1. Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 1 viti, atëherë ai përfiton 20% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere;
2. Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 3 vjetësh, atëherë ai përfiton 30% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere;
3. Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 5 vjetësh, atëherë ai përfiton 40% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere.
4. Prioritet do të kenë aplikimet që kërkojnë të kompensohen financiarisht brenda 1 viti, nga kërkesat për kompensim brenda 3 apo 5 vjetësh.
Fondet për 10 vjetët e zbatimit të ligjit për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave
Viti 1 3,00 miliardë lekë
Viti 2 3,33 miliardë lekë
Viti 3 3.69 miliardë lekë
Viti 4 4,10 miliardë lekë
Viti 5 4,45 miliardë lekë
Viti 6 5,04 miliardë lekë
Viti 7 5,59 miliardë lekë
Viti 8 6,20 miliardë lekë
Viti 9 6,88 miliardë lekë
Viti 10 7,63 miliardë lekë
TOTALI 50 miliardë lekë
Dosjet e shqyrtuara dhe ato në proces
37 mijë janë kërkesat e pronarëve për kthim e kompensim prone
26 mijë dosje kanë një vendim për njohje prone
11 mijë dosje janë në proces shqyrtimi
Më të lexuarat









