Shqipëria ka numrin më të vogël të kartave të kreditit në rajon
Shqipëria është ekonomia e rajonit të Ballkanit Perëndimor me numrin më të vogël të kartave të kreditit.

Sipas statistikave krahasuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në vitin 2024 në Shqipëri ishin aktive 50.18 karta krediti për 1000 banorë. Sipas FMN-së, depërtimi i kartave të kreditit ka pësuar madje rënie krahasuar me nivelin prej 52.52% të një viti më parë.
Shqipëria është dukshëm mbrapa vendeve fqinje të rajonit në shkallën e depërtimit të këtij produkti pagesash.
Para Shqipërisë ndodhet Mali i Zi, me 71.72 karta krediti për 1000 banorë, Bosnje-Hercegovina, me 156.29 karta krediti për 1000 banorë, Serbia, me 159.11 karta krediti për 1000 banorë, Kosova, me 160.75 karta krediti për 1000 banorë dhe Maqedonia e Veriut, me 185.18 karta krediti për 1000 banorë.
Sipas ekspertëve, arsyeja kryesore e depërtimit të ulët të kartave të kreditit në Shqipëri është niveli i lartë i përdorimit të parasë fizike në transaksionet e pagesave. Karta e kreditit është një produkt i dedikuar kryesisht për pagesat automatike nëpërmjet terminaleve POS. Prapambetja relative e Shqipërisë në pagesat me kartë është reflektuar pjesërisht edhe në një përdorim të dobët të kartave të kreditit.
Megjithëse në vitet e fundit pagesat me kartë po shënojnë një rritje të shpejtë, ende nuk kjo nuk po reflektohet në një hov domethënës të kartave të kreditit, si produkt i veçantë.
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2024 pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në pothuajse 19.6 milionë, me një rritje prej 35% krahasuar me një vit më parë.
Nga ana tjetër, karta e kreditit ngelet një produkt relativisht i shtrenjtë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare efektive e interesit e kartave të kreditit për 6-mujorin e parë 2025 (për shumat e deri në 200 mijë lekë) ishte 20.29% për kartat në Lekë dhe 16.95% për kartat në Euro. Krahasuar me një vit më parë, normat mesatare të interesit kanë pësuar rënie për kartat në Euro, po janë rritur lehtë për ato në Lekë.
Në terma mesatarë, normat e interesit të kartave ngelen më të larta në raport me produktet e ngjashme të kredisë konsumatore bankare, si, për shembull, overdraftet. Sipas bankierëve, kjo ndodh për shkak të një shkalle të lartë të rrezikut që kartat e kreditit bartin si produkte kreditore, por edhe me ekzistencën e një periudhë faljeje, brenda të cilës klienti mund ta paguajë detyrimin pa interesa.
Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të vitit të kaluar bankat shqiptare raportonin 113 290 karta krediti aktive, në rënie me 6.1% krahasuar me një vit më parë.
Rënia ka ardhur kryesisht nga dy bankat kryesore, Banka Kombëtare Tregtare (BKT) dhe Raiffeisen, që kanë pësuar rënie të numrit të kartave aktive dhe të pjesës së tregut. Ndërkohë, bankat e tjera në përgjithësi kanë pasur një tendencë në rritje të numrit të kartave të kreditit dhe pjesës së tyre të tregut. Pavarësisht rënies së tyre gjatë 2024, BKT dhe Raiffeisen Bank Albania vazhdojnë ta dominojnë tregun e kartave të kreditit, me rreth 64% të numrit total të tyre.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






