Nje tjeter raport i fundit e nxjerr Shqiperine vendin me te korruptuar ne rajon
Pas BERZH, një tjetër studim e nxjerr Shqipërinë si shtetin më të korruptuar në rajon për vitin 2016.
Sipas raportit të fundit të SELDI (Southeast European Leadership for Development and Integrity), i cili që prej vitit 2014 ka ngritur një sistem rajonal të monitorimit të korrupsionit, Shqipëria ka nivelin më të lartë të presionit për të dhënë ryshfet, por edhe të dhënies faktike të tij mes Maqedonisë, Bosnjës, Bullgarisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Turqisë, Kroacisë. Për Shqipërinë, raporti është hartuar nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER), që ka realizuar edhe sondazhin.
50% e të anketuarve në Shqipëri kanë deklaruar se kanë pasur presion për korrupsion (u është kërkuar të japin ryshfet). Kjo përqindje është shumë më e lartë në krahasim me vendet e tjera të rajonit (shiko figurën 5). Shteti i dytë me nivelin më të lartë të presionit për të dhënë ryshfet është Bosnja, me 33% dhe më i ulëti është Kroacia, ku vetëm 12% e të anketuarve kanë pohuar se u është bërë presion të japin ryshfet.
Në krahasim me raportin e vitit 2014, rezulton se në 2016-n presioni për të dhënë ryshfet është rritur në Shqipëri me 4 pikë përqindjeje (shiko figurën 3). Në të kundërt, Bullgaria, Mali i Zi, Serbia e kanë pasur këtë tregues në rënie, ndërsa rritja më e madhe e presionit për korrupsion është vërejtur në Bosnjë.Shqiptarëve, jo vetëm u bëhet presioni më i lartë në rajon nga zyrtarët për të dhënë ryshfet, por ata bien më shumë pre e këtij presioni dhe detyrohen të paguajnë para, të japin dhurata apo favore të tjera.
40% e të anketuarve në Shqipëri kanë pohuar se ata kanë dhënë të paktën një lloj ryshfeti në 2016-n, sërish përqindja më e lartë në rajon (i dyti pas nesh, Maqedonia, e ka këtë tregues 29%-shiko figurën 7 në fund). Nga 34% e të anketuarve në Shqipëri rezultojnë se forma e ryshfetit që ata kanë dhënë ka qenë para, 19% dhuratë dhe 16% kanë bërë një favor (ose një kombinim mes të triave).