Strehimi social, 1.25 miliardë lekë për mbështetjen e familjeve në nevojë në 2026
Programi i strehimit social mbetet një nga instrumentet kryesore të politikave publike për mbështetjen e familjeve dhe individëve që nuk arrijnë të përballojnë kostot e tregut të banesave, me një buxhet prej 1.25 miliardë lekësh të planifikuar për vitin 2026.
Objektivi afatmesëm i programit
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrise se Financave, objektivi i programit është që deri në vitin 2030 të sigurohet strehim për rreth 35 mijë individë dhe familje që kanë aplikuar për përfitim dhe ndodhen në vështirësi ekonomike. Qasja e ndjekur kombinon instrumente financiare dhe sociale, duke synuar jo vetëm sigurimin e një banese, por edhe përmirësimin e kushteve të jetesës dhe integrimin social të përfituesve.
1.25 miliardë lekë për masat e vitit 2026
Për vitin 2026, fondi prej rreth 1.25 miliardë lekësh do të shpërndahet në disa skema mbështetëse, të orientuara drejt kategorive të ndryshme në nevojë. Një nga masat kryesore është bonusi i qirasë, nga i cili pritet të përfitojnë rreth 1900 familje. Për këtë skemë është parashikuar një fond prej 200 milionë lekësh, me qëllim lehtësimin e barrës mujore të qirasë për familjet me të ardhura të ulëta.
Skemat e vetëinvestimit dhe përmirësimi i banesave
Paralelisht me bonusin e qirasë, programi parashikon skema vetëinvestimi për përmirësimin e kushteve të jetesës, të orientuara drejt grave dhe burrave nga grupet sociale në nevojë. Në kuadër të kësaj mase, parashikohet që mesatarisht 350 familje të përfitojnë mbështetje, me një kosto totale prej 350 milionë lekësh. Këto skema synojnë të nxisin përfshirjen aktive të përfituesve në përmirësimin e banesave dhe kushteve të jetesës.
Mbështetje për familjet e shpronësuara dhe grupet e cenueshme
Një komponent tjetër i programit lidhet me subvencionimin e qirasë për familjet e shpronësuara nga projekti i Unazës së Madhe të Tiranës. Për vitin 2026 parashikohet mbështetja për 92 familje, me një fond prej 10 milionë lekësh. Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe grupeve më të cenueshme, si gratë dhe vajzat e dhunuara, si dhe familjet me një prind, ku për strehimin social të rreth 2000 përfitueseve është planifikuar një fond mbi 132 milionë lekë.