Secondary Adv

Rritet besimi në ndërtim, BSH: Çmimet priten të rriten në muajt në vijim

Treguesit e besimit për muajin dhjetor tregojnë një ecuri të përzier të ekonomisë, me rritje të ndjeshme në sektorin e ndërtimit dhe dobësim në shërbime dhe industri.

Treguesi i ndjesisë ekonomike mbetet mbi mesataren historike

Treguesi i ndjesisë ekonomike ra me 0.4 pikë në muajin dhjetor, por niveli aktual qëndron rreth 6 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia mujore u ndikua kryesisht nga përkeqësimi i pritjeve në sektorët e shërbimeve dhe industrisë, duke reflektuar një ngadalësim të aktivitetit në këta sektorë.

 

Industria me pritje më të dobëta për eksportet

Treguesi i besimit në industri shënoi një rënie të lehtë me 0.2 pikë përqindje, i ndikuar nga pritjet më pak optimiste për porositë nga eksportet. Megjithatë, pritjet për punësimin në të ardhmen u përmirësuan, ndërsa çmimet e produkteve që do të prodhohen pritet të mbeten pothuajse të pandryshuara.

 

Ndërtimi shënon rritjen më të fortë të besimit

Në kontrast me sektorët e tjerë, treguesi i besimit në ndërtim u rrit ndjeshëm me 4.5 pikë përqindje. Kjo rritje u mbështet si nga vlerësimi më pozitiv i aktivitetit aktual ndërtues, ashtu edhe nga përmirësimi i porosive në vazhdim. Bizneset e ndërtimit kanë rishikuar për lart edhe pritjet për çmimet në të ardhmen, duke sinjalizuar presione të mundshme në rritje.

 

Shërbimet në rënie, tregtia mbetet e qëndrueshme

Treguesi i besimit në shërbime ra me 2.8 pikë përqindje, i ndikuar nga vlerësime më pak optimiste për aktivitetin aktual dhe nivelin e kërkesës. Pritjet për punësimin u rishikuan për poshtë, ndërsa pritjet për çmimet në të ardhmen u rritën. Ndërkohë, treguesi i besimit në tregti mbeti pothuajse i pandryshuar krahasuar me muajin paraardhës dhe qëndron rreth 9 pikë përqindje mbi mesataren historike. Vlerësimet për ecurinë aktuale të biznesit ranë, ndërsa pritjet për punësimin u përmirësuan. Në të njëjtën kohë, pritjet për çmimet dhe për ecurinë e ardhshme të biznesit shënuan rënie.

 

Konsumatori pa ndryshime të ndjeshme

Treguesi i besimit konsumator nuk shënoi ndryshime në muajin dhjetor dhe mbetet rreth 1.5 pikë përqindje mbi mesataren historike. Vlerësimet për situatën ekonomike në të ardhmen dhe për blerjet aktuale në shuma të mëdha u përmirësuan, ndërsa pritjet për situatën financiare personale dhe për blerjet e mëdha në të ardhmen u dobësuan. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për poshtë.

 

Përmirësim i gjendjes financiare në tremujorin e katërt

Të dhënat tremujore tregojnë se gjendja financiare e bizneseve dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve u përmirësuan në tremujorin e katërt, veçanërisht në sektorët e industrisë dhe ndërtimit. Në shërbime dhe tregti, këta tregues shënuan përkeqësim, ndërsa shfrytëzimi i kapaciteteve u rrit vetëm në këta dy sektorë.

 

Burimi: SCAN


Më të lexuarat