3 mln euro për zgjerimin dhe modernizimin e nënstacionit të Tiranës, OST hap tenderin
Operatori i Sistemit të Transmetimit ka hapur një procedurë tenderimi me fond limit rreth 3 milionë euro për zgjerimin dhe modernizimin e nënstacionit Tirana 1.
Investim 293 milionë lekë për zgjerimin e nënstacionit
Sipas dokumenteve zyrtare të procedurës, kontrata me objekt “Zgjerimi i N/St. Tirana 1 (trakt i ri transformatori 220 kV, ndërtimi i seksionit të tretë 20 kV)” ka një fond limit prej 293 milionë lekësh. Projekti parashikon zgjerimin e nënstacionit ekzistues përmes instalimit të një transformatori të ri 220/20 kV me fuqi 63 MVA, ndërtimit të bazamentit përkatës, traktit të ri 220 kV dhe realizimit të seksionit të tretë 20 kV.
Godinë e re dhe rikonfigurim i linjave
Në kuadër të këtij investimi, parashikohet ndërtimi i një godine të re dy kate mbi tokë, e cila do të shërbejë për vendosjen e seksionit të tretë 20 kV, si dhe për ambiente shërbimi dhe magazinimi në funksion të nënstacionit Tirana 1. Ndërhyrjet përfshijnë gjithashtu spostimin e traktit të hyrjes së linjës 220–3D, duke instaluar thika të reja 220 kV dhe duke riorganizuar përcjellësit sipas planimetrisë teknike të projektit. Thikat ekzistuese të kësaj linje do të ripërdoren për traktin e transformatorit të ri.
Kabllime të reja dhe seksion i tretë 20 kV
OST parashikon realizimin e kabllimeve të reja për thikat e zbrazjes në traktin e linjës 220–3D, si dhe për thikat ekzistuese të traktit të ri të transformatorit 220/20 kV. Në listën e punimeve përfshihet ndërtimi i kanalit të kabllove të kontrollit dhe të fuqisë për traktin 220 kV, si dhe ndërtimi i seksionit të tretë me çelësa 20 kV në godinën e re, sipas skemës teknike bashkëlidhur projektit. Po ashtu, projekti parashikon ndërtimin e kanalit të kabllove të fuqisë 20 kV, i cili do të sigurojë lidhjen funksionale të seksionit të tretë të ri me seksionin e parë dhe të dytë ekzistues të nënstacionit, duke garantuar integrimin e plotë të kapaciteteve të reja në rrjetin aktual.