Secondary Adv

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme do bëhet me tatim 5 për qind, Begaj dekreton ligjin

Presidenti Begaj ka dekretuar ligjin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, duke hapur rrugën për një proces njëvjeçar që synon afrimin e vlerës së pronave me çmimet reale të tregut, kundrejt një tatimi 5 për qind.

Procesi nis këtë muaj dhe zgjat deri në dhjetor 2026

Shqipëria po përgatitet të hyjë në një tjetër fazë të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin e miratuar më 12 dhjetor 2025 nga Kuvendi, i cili parashikon aplikimin e një norme tatimore 5 për qind për rivlerësimin e pronave, si për individët ashtu edhe për bizneset.

 

Në ditët e fundit të dhjetorit, Shoqata Kombëtare e Pasurive të Paluajtshme i kishte kërkuar Presidentit dekretimin e ligjit, duke argumentuar se vonesat po ndikonin negativisht në treg. Procesi pritet të nisë brenda këtij muaji dhe do të zgjasë deri në dhjetor 2026, me qëllim përafrimin e vlerave të regjistruara të pronave me çmimet reale të tregut.

 

Norma më e lartë tatimore e aplikuar ndonjëherë

Norma 5 për qind për rivlerësimin konsiderohet më e larta e aplikuar ndonjëherë në këto fushata dhe do të jetë e njëjtë si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset.

 

Tatimi do të paguhet mbi diferencën ndërmjet vlerës së regjistruar në Kadastër dhe vlerës së përditësuar sipas tregut. Për shembull, nëse një pronë është blerë për 100 mijë euro dhe sot shitet për 120 mijë euro, pa rivlerësim tatimi mbi diferencën prej 20 mijë eurosh do të ishte 15 për qind, ose 3 mijë euro. Me rivlerësimin dhe normën e re 5 për qind, tatimi për të njëjtën diferencë do të zbresë në 1 mijë euro.

 

Dy mënyra për kryerjen e rivlerësimit

Rivlerësimi do të realizohet përmes dy procedurave. E para përfshin angazhimin e një vlerësuesi të licencuar të pasurive të paluajtshme, i cili do të përcaktojë vlerën e pronës duke e përafruar me çmimet reale të tregut. Procedura e dytë do të kryhet përmes Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ku vlera e pronës do të përshtatet bazuar në referencat zyrtare të zonës.

 

Për herë të parë, në këtë fushatë do të njihet edhe amortizimi i pronës, i llogaritur në masën 1 për qind për çdo vit vjetërsie. Detajet praktike të funksionimit të procesit do të përcaktohen përmes një udhëzimi të posaçëm të Ministrit të Financave.

 

Rivlerësimi i katërt në Shqipëri

Kjo është fushata e katërt e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, pas tre nismave të mëparshme të realizuara nga viti 2011 deri në vitin 2023. Nga këto fushata janë rivlerësuar gjithsej 254,665 prona, duke i sjellë buxhetit të shtetit rreth 235.3 milionë euro të ardhura nga tatimi i paguar.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat