Secondary Adv

Moti i keq: Lumi Vjosa del nga shtrati, bllokohet aksi Gjirokastër-Kakavijë

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje, bllokime rrugësh dhe evakuime familjesh në disa qarqe të vendit, me situatën më problematike në Vlorë, Gjirokastër, Lezhë dhe Durrës.

Vjosa del nga shtrati në Vlorë

Reshjet intensive që kanë përfshirë vendin që prej ditës së djeshme kanë sjellë një situatë të rënduar hidrologjike në qarkun e Vlorës. Lumi Vjosa ka arritur kuotën maksimale dhe ka dalë nga shtrati në zonën e tregut pranë Urës së Mifolit, duke përmbytur sipërfaqe përreth. Sipas të dhënave të fundit, niveli i ujit ka arritur në 6.8 metra mbi nivelin e detit, si pasojë e prurjeve të larta nga zonat e Gjirokastrës dhe Përmetit.

 

Autoritetet u kanë bërë thirrje familjeve që jetojnë pranë lumit të marrin masa paraprake dhe të jenë të vëmendshme ndaj çdo rreziku të mundshëm, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat e emergjencës.

 

Shkarje dherash dhe rrugë të bllokuara

Rruga Kotë–Sevaster në fshatin Vajzë ka pësuar një shkarje masive dhe aktualisht është e bllokuar për qarkullim. Dy banesa janë shembur, fatmirësisht pa pasoja në njerëz. Banorët këshillohen të shmangin lëvizjet në këtë segment dhe të përdorin rrugë alternative.

 

Ndërkohë, për shkak të reshjeve të dendura, aksi nacional Gjirokastër–Kakavijë është bllokuar në zonën e Kordhocës, përballë fshatit Lazarat. Grupet e punës ndodhen në terren dhe po punojnë për pastrimin e inerteve dhe rikthimin e qarkullimit.

 

Dëme në biznese dhe banesa

Në lagjen “18 Shtatori” në Gjirokastër, rreth 70 biznese janë dëmtuar nga përmbytjet një ditë më parë, pas vërshimit të ujit në ambientet e tyre. Situata mbetet e vështirë edhe në qarkun e Lezhës, ku në Kurbin janë evakuuar rreth 8 familje dhe sipërfaqja e përmbytur arrin në rreth 2600 hektarë, ndërsa 150 banesa janë të rrethuara nga uji.

 

Në Durrës, problematika vijon të mbetet zona e ish-Kënetës, veçanërisht blloku rreth burgut, ku rreth 100 banesa kanë ende ujë në oborre dhe brenda tyre. Situatë e rënduar paraqitet edhe në Shkozet, në lagjen nr.14, sidomos në zonën e njohur si “NISH tulla”.

 

Evakuime dhe masa emergjente

Në total, në rang vendi janë evakuuar 18 familje me rreth 60 persona, të cilët janë sistemuar përkohësisht në dy shtëpi pushimi, atë të Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes. Autoritetet vijojnë të jenë në gatishmëri, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Burimi: Shqiptaraja.com


Më të lexuarat