Deri në 30 dhjetor buxheti me 1,1 miliardë euro pa shpenzuar
Anomalitë në ekzekutimin e buxhetit të shtetit janë thelluar ndjeshëm gjatë vitit 2025, duke reflektuar vështirësi serioze në realizimin e shpenzimeve të planifikuara.

Ndërkohë që Tirana dhe qytete të tjera të vendit vijojnë të përballen me mungesë të furnizimit të rregullt me ujë dhe energji elektrike, trafiku mbetet problematik nga jugu në veri dhe investimet infrastrukturore shpesh konsiderohen të gabuara, qeveria shqiptare nuk ka arritur as këtë vit të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga ligji për buxhetin e shtetit.
109 miliardë lekë më pak shpenzime se plani vjetor
Sipas të dhënave zyrtare nga thesari i Ministrisë së Financave, gjatë muajit dhjetor, konkretisht nga data 2 deri më 29 dhjetor, janë kryer pagesa në vlerën e rreth 84 miliardë lekëve. Në total, nga 1 janari deri më 29 dhjetor 2025, shpenzimet buxhetore kanë arritur në rreth 722.6 miliardë lekë, ndërkohë që plani vjetor parashikonte 831.7 miliardë lekë.
Kjo diferencë prej 109 miliardë lekësh përkthehet në rreth 1.1 miliardë euro të pashpenzuara deri në datën 30 dhjetor, vetëm një ditë para mbylljes së vitit fiskal.
Dhjetori kulmon, por nuk mjafton
Në terma mujorë, shpenzimet kanë qenë relativisht të kontrolluara gjatë pjesës më të madhe të vitit, me nivele më të ulëta në muajt e parë dhe një rritje graduale gjatë pranverës dhe verës. Muaji dhjetor shënon tradicionalisht kulmin e shpenzimeve buxhetore, dhe edhe në vitin 2025 ky muaj regjistroi nivelin më të lartë me rreth 84 miliardë lekë pagesa.
Megjithatë, edhe kjo rritje e zakonshme në fundvit nuk ka qenë e mjaftueshme për të arritur nivelin e planifikuar të shpenzimeve vjetore.
Hetimet e SPAK frenuan pagesat
Sipas burimeve financiare, një nga arsyet kryesore të kësaj performance lidhet me hetimet e SPAK mbi institucionet kryesore shpenzuese. Këtë vit është treguar më shumë kujdes në alokimin e fondeve, duke frenuar praktikën e viteve të mëparshme, ku një pjesë e konsiderueshme e buxhetit hapej në dhjetor, kryesisht për kompani që kishin kontrata me qeverinë, veçanërisht në sektorin e rrugëve.
Masat e sigurisë dhe hetimet ndaj drejtuesve të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Ministrisë së Infrastrukturës kanë ndikuar drejtpërdrejt në ngadalësimin e pagesave, duke kufizuar shpërndarjen e fondeve në fund të vitit.
Një problem i përsëritur ndër vite
Edhe në vitet e kaluara, pagesat e dhjetorit nuk kanë reflektuar domosdoshmërisht punime reale të kryera në atë periudhë. Ndërkohë, çdo fundviti miratohet një buxhet më i lartë për vitin pasardhës, por në praktikë ai nuk arrin kurrë të ekzekutohet sipas planit të miratuar nga Kuvendi.
Edhe në vitin 2024, buxhetit të shtetit i mbetën të pashpenzuara rreth 420 milionë euro. Nga 771.3 miliardë lekë të planifikuara, u realizuan vetëm 728.5 miliardë lekë, ose 42.7 miliardë lekë më pak se plani.
Tepricë më e lartë në 2025
Në vitin 2025, teprica buxhetore rezulton ndjeshëm më e lartë, për shkak të kufizimit të pagesave në dhjetor. Një pjesë e kësaj teprice mund të përdoret për uljen e mëtejshme të borxhit publik, një alternativë që shihet si më pozitive sesa rreziku i keqpërdorimit të fondeve publike, siç kanë treguar edhe rezultatet e hetimeve të SPAK.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






