Secondary Adv

Qytetarët e Kosovës e nisin vitin me rritje të faturave të ujit me 40 për qind

Tarifat e ujësjellësit në Kosovë janë rritur ndjeshëm nga janari 2026 për shkak të energjisë, inflacionit dhe uljes së subvencioneve.

Qytetarët e Kosovës e kanë nisur vitin 2026 me fatura më të larta të ujit, pas hyrjes në fuqi të tarifave të reja të publikuara nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” për periudhën 2026–2028. Rritja prek të gjitha kategoritë e konsumatorëve dhe ka hyrë në fuqi që nga muaji janar.

 

Tarifat e reja për konsumatorët

Për konsumatorët shtëpiakë, tarifa për shërbimet e ujësjellësit është vendosur në 0.63 euro për metër kub, duke shënuar një rritje prej rreth 40 % krahasuar me tarifat e mëparshme. Ndërkohë, për shërbimet e ujërave të ndotura, çmimi ka arritur në 0.12 euro për metër kub, rreth 60 % më i lartë se më parë. Për konsumatorët komercialë dhe institucionalë, tarifa për ujësjellësin është rritur në 0.82 euro për metër kub nga 0.62 euro, ndërsa ajo për ujërat e ndotura ka kaluar nga 0.17 në 0.28 euro për metër kub.

 

Arsyet e shtrenjtimit

Sipas KRU “Prishtina”, rritja e tarifave është rezultat i shtimit të shpenzimeve operative, mirëmbajtjes kapitale dhe investimeve për modernizimin e rrjetit. Kompania thekson se synimi është sigurimi i një furnizimi të qëndrueshëm dhe pa ndërprerje për qytetarët. Tarifat e reja janë miratuar nga Autoriteti Rregullativ për Ujëra dhe Ujërat e Ndotura, në përputhje me Ligjin Nr. 05/L–042, me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë financiare dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.

 

Struktura e tarifave dhe investimet

Në arsyetimin e saj, kompania sqaron se tarifat caktohen për shërbimet e ujësjellësit dhe ujërave të ndotura, furnizimin me ujë të pa-trajtuar me shumicë dhe ujin e trajtuar me shumicë. Tarifa llogaritet duke pjesëtuar kërkesën për të ardhura me vëllimin e ujit të shitur, duke marrë parasysh efikasitetin e arkëtimit. Kërkesa për të ardhura përbëhet nga shpenzimet operative, mirëmbajtja kapitale dhe kthimi në Bazën Rregullatore të Aseteve, ndërsa kërkesat për periudhën 2026–2028 përfshijnë rritjen e kostove të personelit dhe energjisë elektrike, projekte kapitale për mirëmbajtjen e rrjetit dhe investime për modernizimin e aseteve.

 

Sqarimet e ARRU-së

Drejtori i Departamentit të Tarifave në ARRU, Refik Ramaj, ka bërë të ditur se për periudhën tarifore 2026–2028 do të ketë rritje për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Sipas tij, rritja për amvisëritë është rreth 39 %, ndërsa për konsumatorët jo shtëpiakë 29 %, me një mesatare prej 34 %. Për ujërat e ndotura, rritja është rreth 25 % për të dyja kategoritë. Ai ka theksuar se ndikimi kryesor vjen nga rritja e energjisë elektrike mbi 150 %, zvogëlimi i subvencioneve shtetërore dhe inflacioni i përgjithshëm.

 

Çmimet në Prishtinë dhe krahasimi rajonal

Në Prishtinë, çmimi i ujit është rritur nga 0.45 në 0.63 euro për metër kub, ndërsa tarifa për ujërat e ndotura nga 0.08 në 0.12 euro. Pavarësisht kësaj rritjeje të ndjeshme, Kosova vazhdon të ketë çmimet më të ulëta të ujit në rajon, me përjashtim të Malit të Zi, i cili ka nivele të përafërta, ndërsa vendet e tjera aplikojnë tarifa dukshëm më të larta.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat