Secondary Adv

Inflacioni në eurozonë bie në objektivin 2 për qind të BQE-së, teksa presionet mbi çmimet zbuten

Inflacioni në eurozonë u rikthye në objektivin e Bankës Qendrore Europiane, duke sinjalizuar normalizim të çmimeve.

Inflacioni në eurozonë u rikthye në objektivin prej 2% të Bankës Qendrore Europiane në muajin dhjetor, duke i dhënë më shumë siguri politikëbërësve se presionet mbi çmimet po vijojnë të zbuten. Sipas vlerësimeve paraprake të publikuara nga Eurostat, norma vjetore e rritjes së çmimeve të konsumit ra në 2.0% në dhjetor, nga 2.1% në nëntor, në përputhje me pritshmëritë e tregut dhe objektivin e stabilitetit të çmimeve të BQE-së.

 

Ngadalësimi i inflacionit bazë

Edhe presionet bazë mbi çmimet shënuan lehtësim. Inflacioni bazë, i cili përjashton komponentët më të paqëndrueshëm si ushqimet dhe energjia dhe ndiqet nga afër nga Banka Qendrore Europiane, ra në 2.3% në bazë vjetore, nga 2.4% në nëntor, duke shënuar nivelin më të ulët që nga muaji gusht. Në baza mujore, çmimet e konsumit u rritën me 0.2% në dhjetor, pasi kishin rënë me 0.3% në muajin paraardhës.

 

Ecuria sipas kategorive

Ndarja e inflacionit sipas kategorive tregon një model tashmë të njohur. Shërbimet vijuan të regjistrojnë rritjen vjetore më të fortë, me 3.4%, ndonëse kjo normë ishte pak më e ulët krahasuar me nëntorin. Inflacioni i ushqimeve, alkoolit dhe duhanit u rrit lehtë në 2.6%, ndërsa çmimet e mallrave industriale jo-energjetike u rritën vetëm me 0.4%. Çmimet e energjisë mbetën në territor negativ, duke rënë me 1.9% krahasuar me një vit më parë, faktor që ka ndikuar ndjeshëm në ngadalësimin e inflacionit total.

 

Politika monetare dhe pritshmëritë e tregut

Me stabilizimin si të inflacionit total, ashtu edhe atij bazë, tregjet financiare shohin hapësirë të kufizuar për veprime të menjëhershme nga Banka Qendrore Europiane. Sipas platformës së basteve Polymarket, probabiliteti që normat e interesit të mbeten të pandryshuara në mbledhjen e radhës të Këshillit Drejtues në shkurt vlerësohet në 97%. Gjasat për një ulje të normave gjatë vitit 2026 vlerësohen rreth 45%, ndërsa një rritje e normave shihet si më pak e mundshme.

 

Vlerësimet e ekspertëve

“Mesazhi kryesor është se presionet mbi çmimet po normalizohen pas disa vitesh të trazuara”, u shpreh në një koment profesori emeritus Joe Nellis, këshilltar ekonomik pranë MHA. Sipas tij, inflacioni total dhe ai bazë po lëvizin brenda një intervali relativisht të ngushtë, çka sugjeron se paqëndrueshmëria ekstreme e së kaluarës së afërt është lënë pas, edhe pse rreziqet mbeten. Nellis theksoi se politikëbërësit pritet të mbeten të kujdesshëm, për shkak të dinamikave të pagave, ndryshimeve në tregjet globale të energjisë dhe kërkesës së pabarabartë mes vendeve anëtare.

 

Ndikimi për familjet dhe bizneset

Një mjedis më i butë inflacioni ofron njëfarë lehtësimi për familjet, fuqia blerëse e të cilave është dëmtuar nga vitet e fundit me rritje të shpejtë të çmimeve, ndërsa çmimet më të qëndrueshme ndihmojnë bizneset të planifikojnë investimet dhe punësimin me më shumë siguri. Megjithatë, rikthimi i inflacionit në objektiv ka përkuar me një vrull ekonomik modest, pasi shpenzimet e konsumatorëve mbeten të dobëta në disa vende, prodhimi industrial has vështirësi dhe tregtia ndërkufitare shfaq shenja ngadalësimi. Sipas Nellis, sfida për Bankën Qendrore Europiane mbetet mbështetja e rimëkëmbjes ekonomike pa rindezur presionet inflacioniste.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat