Banka e Shqipërisë bleu 826 milionë euro për 9-mujorin 2025
Banka e Shqipërisë intensifikoi blerjet valutore në 2025 për të frenuar rënien e euros dhe për të rritur rezervat.
Banka e Shqipërisë bleu në tremujorin e tretë të vitit të kaluar një shumë rekord prej afro 631 milionë eurosh në tregun e brendshëm valutor. Sipas informacionit zyrtar, në ankandet e planifikuara për rritjen e rezervës valutore gjatë këtij tremujori u blenë 108.2 milionë euro, ndërsa blerjet direkte për të frenuar rënien e mëtejshme të kursit Euro–Lek arritën në 522.6 milionë euro, gati pesë herë më shumë se blerjet përmes ankandeve.
Blerjet në 9-mujorin 2025
Banka e Shqipërisë i nisi blerjet direkte të valutës që në muajin maj dhe i vijoi ato gjatë gjithë pjesës së mbetur të vitit 2025. Sipas të dhënave të publikuara, për nëntë muajt e parë të vitit 2025 u blenë gjithsej 825.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor, vlera më e lartë historike për këtë periudhë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, blerjet u rritën me 52.2%.
Pjesa dërrmuese e kësaj shume, rreth 72%, përbëhej nga blerje direkte me qëllim kontrollin e kursit të këmbimit, ndërsa 28% ishin blerje përmes ankandeve, në kuadër të objektivave për rritjen e rezervës valutore.
Ndikimi në kursin Euro–Lek
Pavarësisht blerjeve të mëdha, kursi i këmbimit mes euros dhe lekut vijoi rënien edhe gjatë vitit 2025, duke prekur nivele të reja historike pranë 95 lekëve. Sipas statistikave zyrtare, euro u këmbye mesatarisht vitin e kaluar me 97.85 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Megjithatë, rënia e kursit në vitin 2025 ishte më e moderuar, me 2.8%, krahasuar me rënien prej 7.4% në vitin 2024 dhe 8.6% në vitin 2023.
Ngadalësimi i rënies së kursit shpjegohet në një masë të konsiderueshme nga ndërhyrjet e Bankës Qendrore, pasi në mungesë të këtyre blerjeve, presionet rënëse mbi kursin do të kishin qenë edhe më të forta.
Planet për vitin 2026
Për vitin e ardhshëm, Banka e Shqipërisë parashikon rritje të mëtejshme të blerjeve të planifikuara të valutës në tregun e brendshëm. Synimi është blerja përmes ankandeve e 330–450 milionë eurove për rritjen e rezervës valutore, një objektiv më i lartë se intervali 270–350 milionë euro i parashikuar për vitin 2025.
Gjatë vitit 2026 janë programuar 26 ankande për blerje valute, që do të zhvillohen nga shkurti në dhjetor. Një pjesë e tyre do të jenë ankande me blerje në të ardhmen dhe pjesa tjetër ankande spot, me përqendrim më të lartë gjatë sezonit veror, kur oferta valutore është më e madhe. Shuma maksimale e planifikuar për t’u blerë në raundin e parë do të jetë 10–12 milionë euro, ndërsa rregulloret lejojnë edhe raunde shtesë nëse është e nevojshme.
Këto shuma nuk përfshijnë blerjet e mundshme për qëllime ndërhyrjeje në tregun valutor, të cilat mund të kryhen në funksion të stabilizimit të tregut ose objektivave të politikës monetare.