Secondary Adv

Rritja e kredisë për prona, BSH mund të shtojë përsëri kërkesat për kapital ndaj bankave

Banka e Shqipërisë paralajmëron shtrëngim të mëtejshëm të kërkesave për kapital nëse kreditimi vijon të rritet shpejt.

Banka e Shqipërisë ka mbajtur të pandryshuar normën e shtesës kundërciklike të kapitalit për bankat tregtare në nivelin 0.5%, por ka sinjalizuar sërish mundësinë e një rritjeje të mëtejshme të saj, në rast se kreditimi, veçanërisht për pasuri të paluajtshme, vijon të rritet me ritme të larta. Sipas rregullores “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”, kjo shtesë synon të ngadalësojë kreditimin kur rritja e tij vlerësohet e shpejtë dhe potencialisht e rrezikshme për stabilitetin financiar.

 

Kredia rritet më shpejt se ekonomia

Në rivlerësimin periodik të fundit të vitit 2025, Banka e Shqipërisë evidentoi edhe një herë se rritja e kredisë po tejkalon ndjeshëm rritjen ekonomike. Në tremujorin e tretë të vitit 2025, kredia për ekonominë u rrit me 10.9% në terma vjetorë, ndërsa rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vjetëzuar për të njëjtën periudhë ishte 5.4%.

 

Hendeku kredi–PBB dhe sinjalet e rrezikut

Vendimmarrja për nivelin e shtesës kundërciklike mbështetet kryesisht në treguesin e hendekut të raportit të kredisë ndaj PBB-së, i cili mat devijimin nga prirja afatgjatë e këtij raporti. Edhe pse vlerat e treguesit mbeten negative, ato po ngushtohen me ritme të përshpejtuara. Në tremujorin e tretë, hendeku ishte -3.44 pikë përqindje, ndërkohë që mesatarja për periudhën 2009–2025 vlerësohet në -7.7 pikë përqindje.

 

Hendeku për segmentin e individëve ka kaluar në territor pozitiv për të dytin tremujor radhazi, në nivelin 0.28 pikë përqindje, duke reflektuar rritjen e qëndrueshme të kredisë për familjet. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë thekson nevojën për monitorim të vazhdueshëm të ngarkesës me borxh dhe faktorëve që ndikojnë në aftësinë paguese të familjeve.

 

Për segmentin e bizneseve, hendeku mbetet negativ, por ngushtimi i tij me rreth 1.3 pikë përqindje në terma vjetorë tregon përmirësim gradual të aksesit në kredi. Sipas Bankës së Shqipërisë, edhe për bizneset është e rëndësishme të vlerësohet nëse rritja e borxhit shoqërohet me zgjerim të kapacitetit prodhues dhe përfitueshmërisë.

 

Tregues shtesë dhe kreditimi për prona

Banka e Shqipërisë thekson se hendeku kredi–PBB, megjithëse tregues kryesor, ka treguar ngadalësi reagimi dhe nuk kap gjithmonë zhvillime të shpejta në segmente të veçanta të kredisë. Për këtë arsye, vendimmarrja mbështetet edhe në Treguesin e Paralajmërimit të Hershëm Plotësues, vlera e të cilit u rrit në 0.66, mbi mesataren historike prej 0.5, duke sinjalizuar rreziqe potenciale nga mbinxehja e tregut të kredisë, veçanërisht të aktiveve jofinanciare.

 

Zhvillimet e fundit tregojnë një rritje pozitive, por disi më të ngadalësuar, të portofolit të kredisë për pasuri të paluajtshme krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe me të njëjtën periudhë një vit më parë. Megjithatë, ritmi i rritjes së kësaj kredie vijon të tejkalojë rritjen nominale të PBB-së dhe atë të tepricës totale të kredisë bankare, ndonëse mbetet nën mesataren historike.

 

Indeksi i çmimeve të banesave ka përforcuar ritmin rritës dhe qëndron mbi nivelet afatgjata për më shumë se një vit. Rritja e raportit mes çmimeve të pronave dhe qirave tregon se çmimet e blerjes po rriten më shpejt se qiratë për të katërtin tremujor radhazi, duke reflektuar kërkesë të fortë, por edhe shqetësime për qëndrueshmërinë afatgjatë të tregut.

 

Masat e marra dhe hapat e ardhshëm

Për të moderuar ritmet e rritjes së kredisë, Banka e Shqipërisë rriti normën e shtesës kundërciklike të kapitalit në qershor dhe dhjetor 2024, me nga 0.25%, duke e çuar atë në nivelin aktual prej 0.50%. Këto rritje hynë në fuqi për t’u përmbushur në qershor dhe dhjetor 2025. Paralelisht, në maj 2025 u vendosën kufij të sipërm për raportin e kredisë ndaj vlerës së pronës dhe raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave të kredimarrësit, masa që zbatohen që nga 1 korriku 2025.

 

Banka e Shqipërisë bën të ditur se ndikimi i këtyre masave po monitorohet aktualisht, për të vlerësuar përshtatshmërinë e tyre dhe nevojën për plotësime të mundshme në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat