Rëndohet situata: Lumi Seman del nga shtrati, Shkumbini, Vjosa dhe Buna në pikë kritike
Përmbytje, rrëshqitje dherash dhe ndërprerje shërbimesh po raportohen në disa qarqe të vendit.

E rënduar paraqitet situata nga përmbytjet në disa zona të vendit, veçanërisht në qarkun e Fierit, ku si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që vijojnë prej disa ditësh, 27 banesa kanë prezencë të lartë uji. Sipas të dhënave më të fundit, në fshatrat Kashisht, Adë, Kafaraj, Cerven dhe Ferras janë nën ujë rreth 200 hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturave, ndërsa nivelet e lumenjve Seman dhe Shkumbin vijojnë të jenë në rritje.
Vjosa dhe Shkumbini në prag rreziku
Në rrezik për dalje nga shtrati është edhe lumi Vjosë, pasi niveli i prurjeve në Urën e Mifolit ka kaluar pikat e matjes dhe aktualisht uji ka arritur nivelin kritik përgjatë gjithë argjinaturës. Si pasojë e prurjeve të larta, ka prezencë uji edhe në Stacionin e Pompimit të Kafarajt, në Njësinë Administrative Frakull, nga ku furnizohet me ujë qyteti i Fierit. Si masë paraprake, disa pompa pranë lumit janë stakuar dhe furnizimi me ujë për qytetin po realizohet me kapacitet të reduktuar, sipas një grafiku të caktuar nga UKF.
Të dhënat nga pikëmatja në Urën e Memaliajt sinjalizojnë përkeqësim të situatës në orët në vijim, ndërkohë që problematika nga reshjet e dendura raportohen edhe në bashkitë Lushnje dhe Divjakë.
Seman del nga shtrati, toka bujqësore nën ujë
Lumi Seman ka dalë nga shtrati duke përmbytur rreth 130 hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturës në fshatrat Ngurrëz dhe Imshtë. Ndërkohë, lumi Shkumbin është pranë daljes nga shtrati, me disa hektarë tokë tashmë të përmbytura. Të përmbytura janë gjithashtu rreth 150 hektarë tokë e mbjellë në Njësinë Administrative Grabjan në Divjakë dhe në Njësinë Administrative Dushk në Lushnje. Hidrovoret e Tërbufit, Karavastasë dhe Divjakës po punojnë me kapacitet të plotë, ndërsa reshjet vazhdojnë me intensitet mesatar.
Dëborë dhe rrëshqitje në qarkun Dibër
Pas reshjeve të shiut, në të gjithë qarkun e Dibrës kanë nisur reshjet e dëborës. Në zonat e thella malore, përfshirë Njësitë Administrative Lurë, Kala e Dodës, Muhurr, Selishtë, Zall-Dardhë, Reç, Trebisht, Ostren, si dhe në zonën e Martaneshit, trashësia e dëborës ka kaluar 10 centimetra. Si pasojë janë shfaqur vështirësi serioze në qarkullimin e mjeteve, veçanërisht në rrugët që lidhin fshatrat e thella, ndërsa situata është rënduar edhe nga rrëshqitjet e dherave dhe shembjet e pjesshme të rrugëve.
Probleme në Gjirokastër dhe zonat përreth
Në jug të vendit, aksi nacional Gjirokastër–Tepelenë, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë, vijon të jetë i kalueshëm vetëm me një sens. Prani inertesh dhe uji raportohet në segmentet Gjirokastër–Kakavijë, Ura e Kardhiqit–Skërficë dhe Ura e Leklit–Këlcyrë, si dhe në disa rrugë brenda qytetit të Gjirokastrës. Në lagjet Cfakë, Manalat, Dunavat dhe Granicë janë evidentuar rrëshqitje dherash, ndërsa në lagjen Manalat është evakuuar një familje për shkak të rrezikut nga shembjet. Një tjetër familje është evakuuar edhe në fshatin Labovë e Zhapës, Njësia Administrative Odrie.
Problematika janë raportuar edhe në rrugët rurale që lidhin fshatrat Dhoksat–Qesarat–Këllëz, Mingul e Gjat në Njësinë Administrative Lunxhëri, si dhe Tërbuq e Labovë. Në aksin Hani i Hotit–Dogana Vermosh dhe në rrugën Bogë–Theth gjatë natës ka pasur reshje dëbore, por grupet e punës po vijojnë pastrimin dhe kriposjen e rrugëve.
Rrëshqitje dhe ndërprerje energjie
Në Përmet dhe Këlcyrë janë evidentuar rrëshqitje dherash në disa fshatra, përfshirë Rapckë, Frashër, Malëshovë dhe Mezhgoran, ku në disa raste rrugët janë bllokuar përkohësisht. Ndërkohë, problematika vijojnë edhe me furnizimin me energji elektrike, ku në disa njësi administrative raportohen ndërprerje periodike.
Burimi: Ballkan Web
Më të lexuarat






