Secondary Adv

Fatura e re për taksën e ndërtesës, nga çmimet e referencës deri te sipërfaqja e apartamentit

Brenda vitit 2026 bashkitë do të përdorin Kadastrën Fiskale për të llogaritur automatikisht taksën e ndërtesës.

Brenda vitit 2026, të gjitha bashkitë pritet të integrohen në sistemin e ri informatik të Kadastrës Fiskale, i cili do të llogarisë automatikisht detyrimin për taksën mbi ndërtesën, si për individët ashtu edhe për bizneset. Ky sistem do të përdoret për gjenerimin e faturave të taksës mbi ndërtesën, duke përfshirë të dhëna të detajuara mbi sipërfaqen e banimit, vlerën bazë të taksueshme dhe çmimin referues për metër katror. Informacionet për pasuritë e paluajtshme do të hidhen nga bashkitë dhe do të përpunohen automatikisht në sistem.

 

Në manualin e përdorimit të sistemit informatik të Kadastrës Fiskale, të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë, është publikuar edhe modeli i ri i faturës për taksën mbi ndërtesën. Ndryshe nga fatura aktuale, fatura e re do të përfshijë më shumë detaje mbi mënyrën e llogaritjes së detyrimit që paguhet nga individët dhe bizneset.

 

Çfarë përmban fatura e re

Në faturën e re do të pasqyrohen numri i njësisë së ndërtesës, numri i pasurisë i regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, çmimi i referencës sipas zonës kadastrale ku ndodhet prona, sipërfaqja e apartamentit, vlera e taksueshme e pronës e llogaritur nga çmimi referues dhe sipërfaqja, si dhe detyrimi përfundimtar për taksën e ndërtesës. Fatura do të përmbajë gjithashtu logon e bashkisë, të dhënat e taksapaguesit, numrin e faturës dhe kodet e llogarive përkatëse për pagesë.

 

Një shembull konkret është ai i zonës së Shëngjergjit në Tiranë, ku për një apartament me sipërfaqe 76 metra katrorë, çmim referues 23.000 lekë për metër katror dhe shkallë takse 0.05%, detyrimi vjetor për vitin 2026 llogaritet në 874 lekë. Fatura nuk përfshin gjoba apo kamatëvonesa dhe afatet e pagesës janë të përcaktuara qartë.

 

Mënyra aktuale e pagesës dhe afatet

Aktualisht, detyrimi për taksën e ndërtesës për individët shfaqet në faturën e ujit të pijshëm dhe paguhet çdo muaj, ndërsa për bizneset pagesa kryhet me dy këste. Afati për këstin e parë është deri më 30 qershor dhe për këstin e dytë deri më 31 tetor.

 

Të dhënat që do të hidhen në sistem

Sistemi ende nuk është i integruar plotësisht me të gjitha bashkitë, por pritet që brenda vitit të përfshijë të gjitha njësitë administrative në vend. Sipas manualit, të dhënat do të renditen sipas numrit të njësisë së ndërtesës dhe mund të filtrohen apo renditen sipas kritereve të ndryshme si numri i pronës në ASHK, sipërfaqja, kategoria e vlerës, përdorimi, bashkia, njësia administrative, rruga, zona kadastrale, kati, hyrja, dera dhe statusi aktiv.

 

Sistemi lejon regjistrimin e taksapaguesve për njësitë që nuk kanë të dhëna ekzistuese, duke përdorur numrin personal për qytetarët, numrin e biznesit për subjektet tregtare, si dhe regjistrimin e taksapaguesve të huaj.

 

Metodologjia e llogaritjes së taksës

Vlera e pronës llogaritet mbi bazën e sipërfaqes, çmimit mesatar referues, koeficientit për kategorinë e vlerës dhe koeficientit të privatizimit për pronat rezidenciale. Për njësitë që përdoren për banim dhe nuk kanë të dhëna për sipërfaqen, aplikohet sipërfaqja e prezumuar. Vlera e pronës përcaktohet si më e larta ndërmjet disa vlerave alternative, përfshirë vlerën e vlerësuar në masë, vlerën në ZRPP, çmimin e shitjes, vlerën e vetëdeklaruar dhe çmimin e ndërtimit për ndërtesat e papërfunduara.

 

Baza e taksës shumëzohet me shkallën e taksës të miratuar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, e cila është 0.05% për banim, 0.2% për veprimtari ekonomike dhe 30% e shkallës për sipërfaqet e papërfunduara me leje ndërtimi. Bashkitë kanë të drejtë të miratojnë nënndarje zonale për të rregulluar shkallën e taksës brenda kufijve plus ose minus 30%. Në rastet kur një pronë ka më shumë se një taksapagues, detyrimi ndahet proporcionalisht.

 

Regjistrimi dhe ecuria e reformës

Popullimi dhe monitorimi i të dhënave do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë, me synim administrimin e saktë dhe të qëndrueshëm të procesit të mbledhjes së taksave. Brenda vitit 2026 parashikohet që në Kadastrën Fiskale të regjistrohen të dhënat për rreth 2.5 milionë pasuri të paluajtshme.

 

Ndërkohë, zbatimi i taksës së re mbi pasuritë e paluajtshme, e planifikuar fillimisht për vitin 2026, do të shtyhet me dy vite dhe pritet të nisë në vitin 2028. Nga Ministria e Financave bëhet e ditur se po hartohet një projektligj i ri, i cili do të miratohet në vitin 2026 dhe do të zbatohet së bashku me Kadastrën Fiskale nga viti 2028, duke u bazuar në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat