Zgjedhjet në Kosovë: Përfundon numërimi i votave me postë, LVV kryeson me 72.62 për qind
Ka përfunduar numërimi i votave me postë për zgjedhjet e 28 dhjetorit, me LVV-në bindshëm në krye.
Mbrëmjen e së mërkurës ka përfunduar plotësisht numërimi i votave me postë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor në Kosovë. Sipas të dhënave të publikuara në platformën zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forcë e parë me 72.62%, duke kryesuar ndjeshëm ndaj subjekteve të tjera politike.
Pas LVV-së renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 10.27%, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 9.14%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 3.93% të votave me postë.
Rezultatet e përgjithshme dhe ndarja e mandateve
Sipas rezultateve të përmbledhura, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 51.01% të votave në rang vendi, duke fituar 57 ulëse në legjislaturën e 10-të të Kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 20.24% dhe 22 mandate, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 13.26% të votave, duke siguruar 15 ulëse. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e katërta me 5.50% dhe 6 mandate.
Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit duke siguruar gjithsej 56 mandate, tetë më shumë krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit. Nga numërimi i 2.557 kutive të votimit, LVV e drejtuar nga Albin Kurti ka marrë 49.30% të votave. Pas saj është renditur Partia Demokratike e Kosovës e drejtuar nga Bedri Hamza me 21.01%, ndërsa në vend të tretë Lidhja Demokratike e Kosovës me kryetar Lumir Abdixhiun, e cila ka siguruar 13.59%.