Secondary Adv

Përmbytjet, qeveria gati paketën e dëmshpërblimeve: Mblidhet nesër Komiteti i Emergjencave Civile

Qeveria po përgatit paketën e dëmshpërblimeve për banesat dhe tokat e prekura nga përmbytjet.

Nesër në orën 08:30, kryeministri Rama do të mbledhë në Kryeministri Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile, ku do të diskutohet situata e krijuar nga përmbytjet në disa qarqe të vendit. Mbledhja vjen tre ditë pasi Shqipëria ndodhet nën ndikimin e motit të keq, me pasoja të ndjeshme për banesa, toka bujqësore dhe aktivitete ekonomike.

 

Sipas informacioneve të bëra publike, qeveria është duke hartuar një paketë të posaçme dëmshpërblimesh që synon të garantojë kompensimin për familjet, bizneset dhe fermerët, të cilëve u janë dëmtuar banesat apo tokat bujqësore si pasojë e përmbytjeve. Kjo paketë pritet të jetë një nga çështjet kryesore që do të trajtohen në mbledhjen e Komitetit.

 

Institucionet e përfshira në menaxhimin e situatës

Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile do të marrin pjesë ministritë e linjës, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Financave, si edhe institucionet përgjegjëse për energjinë, infrastrukturën dhe bujqësinë, së bashku me përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Qëllimi i takimit është koordinimi i mëtejshëm i masave për përballimin e situatës dhe adresimin e pasojave të përmbytjeve në mbarë vendin.

 

Apeli për qytetarët dhe vëmendja ndaj zonave të rrezikuara

Më herët, kryeministri Rama, përmes postimeve në rrjetet sociale, u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të komunikojnë për çdo nevojë me institucionet përkatëse, të cilat sipas tij janë në terren 24 orë në 24. Një apel i veçantë i është drejtuar banorëve të zonës së Novoselës, për të cilët është dhënë thirrje për evakuim për shkak të rrezikut të shtuar nga lumi Vjosë.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat