SHBA tërhiqet nga 66 organizata ndërkombëtare, Trump firmos vendimin
Administrata amerikane shpall largimin nga dhjetëra organizata që i cilëson joefektive dhe kundër interesave të SHBA-së.

Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar vendimin për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga 66 organizata ndërkombëtare, të cilat administrata i konsideron si joefektive dhe të dëmshme për interesat kombëtare. Vendimi shënon një tjetër hap të fortë të Uashingtonit kundër angazhimit shumëpalësh dhe përfshin institucione evropiane, rajonale dhe struktura të Kombeve të Bashkuara.
Mes organizatave nga të cilat SHBA-ja është tërhequr janë Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës, Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunale Penale, që është pasardhësi i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, UN Women, si dhe Këshilli për Bashkëpunim Rajonal. Në këtë të fundit bën pjesë edhe Kosova, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërsa qëllimi i tij është forcimi i bashkëpunimit politik, ekonomik dhe shoqëror në rajon dhe afrimi me Bashkimin Evropian.
Arsyetimi i administratës amerikane
Në Komisionin e Venecias, i cili shërben si trup këshillues për çështje kushtetuese dhe jep rekomandime për parlamentet dhe qeveritë, SHBA-ja kishte statusin e vëzhgueses dhe jo të anëtares së plotë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se organizatat nga të cilat SHBA-ja është tërhequr janë “antiamerikane ose të padobishme” dhe nuk justifikojnë më shpenzimin e burimeve dhe kapitalit diplomatik.
Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë thuhet se Shtetet e Bashkuara nuk do të vazhdojnë të shpenzojnë burime, peshë legjitimuese dhe angazhim diplomatik në institucione që nuk u shërbejnë interesave të tyre ose bien ndesh me to. Administrata thekson se po refuzon inercinë dhe ideologjinë në favor të maturisë dhe qëllimit, duke kërkuar bashkëpunim vetëm aty ku ai u shërben drejtpërdrejt qytetarëve amerikanë.
Largime edhe nga struktura të OKB-së
Vendimi përfshin gjithashtu tërheqjen e SHBA-së nga disa struktura të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Departamentin për Çështje Ekonomike dhe Sociale, Qendrën Botërore të Tregtisë, Komisionin e Ligjit Ndërkombëtar, Zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm për Fëmijë në Konflikte të Armatosura, Zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm për Dhunën Seksuale në Konflikt, Fondin e OKB-së për Demokraci, si dhe një sërë organizatash dhe traktatesh të tjera ndërkombëtare.
Marco Rubio shtoi se kjo tërheqje materializon një nga premtimet kyçe të presidentit Trump për të ndaluar subvencionimin e burokratëve globalistë që, sipas tij, veprojnë kundër interesave të SHBA-së, duke theksuar se administrata do ta vendosë gjithmonë Amerikën dhe amerikanët në radhë të parë.
Rishikim i mëtejshëm i angazhimeve ndërkombëtare
Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se po vazhdojnë rishikimin edhe të organizatave të tjera ndërkombëtare. Vendimi pasqyron mosbesimin e kahershëm të presidentit Trump ndaj institucioneve multilaterale, veçanërisht Kombeve të Bashkuara, të cilat ai i ka kritikuar vazhdimisht për efektivitetin, koston dhe mungesën e llogaridhënies, duke argumentuar se shpesh nuk i shërbejnë interesave amerikane.
Burimi: REL
Më të lexuarat






