Vendi u paralizua nga përmbytjet, por vetëm 10.5 mld lekë nga buxheti i 2026 shkojnë për emergjencat
Pavarësisht dëmeve të mëdha nga përmbytjet, fondet buxhetore për emergjencat në 2026 mbeten të kufizuara.
Pas emergjencës së zjarreve të verës së vitit 2025, vendi po përballet në fillim të këtij viti me dëme të konsiderueshme nga përmbytjet në disa qarqe. Për t’iu përgjigjur situatave emergjente gjatë vitit 2026, në buxhetin e shtetit janë parashikuar gjithsej 10.5 miliardë lekë, të destinuara për menaxhimin e përmbytjeve dhe garantimin e mbrojtjes së infrastrukturës së kullimit.
Pjesa kryesore e këtyre fondeve i takon Emergjencave Civile, strukturë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, përgjegjëse për menaxhimin e pasojave nga fenomenet natyrore si përmbytjet, zjarret apo tërmetet. Për vitin 2026, buxheti i Emergjencave Civile është planifikuar në rreth 5.7 miliardë lekë, nga afro 4 miliardë lekë që ishte në vitin 2025, duke shënuar një rritje me rreth 1.7 miliardë lekë në raport me vitin e kaluar.
Paralelisht, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka në dispozicion fonde të dedikuara për menaxhimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, të cilat përdoren për investime në kanale kulluese, kanale ujitëse dhe hidrovore, kryesisht në funksion të sektorit bujqësor. Për vitin 2026, këto fonde arrijnë në rreth 3.6 miliardë lekë, nga 3.4 miliardë lekë që ishin planifikuar në vitin 2025, duke reflektuar një rritje të lehtë.
Edhe bashkitë kanë fonde të posaçme për ujitjen dhe kullimin, të cilat i përfitojnë përmes transfertave nga buxheti i shtetit. Për vitin 2026, këto transferta kapin vlerën e rreth 1.6 miliardë lekëve, me një rritje të moderuar krahasuar me vitin e kaluar. Këto fonde përdoren për mirëmbajtjen e infrastrukturës lokale të kullimit dhe ujitjes, në varësi të nevojave të secilës njësi vendore.
Bashkitë që kanë në dispozicion buxhetet më të mëdha për ujitjen dhe kullimin janë kryesisht ato me profil bujqësor. Fierit i janë akorduar rreth 75.9 milionë lekë, Lushnjës rreth 61.9 milionë lekë dhe Korçës rreth 59.6 milionë lekë, kjo e fundit edhe një nga bashkitë më të prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit. Ndërkohë, Durrësi, i cili deri tani rezulton bashkia më e dëmtuar nga përmbytjet, ka për vitin 2026 një transfertë prej rreth 58.1 milionë lekësh për këtë qëllim.
Bashki të tjera si Lezha, Kurbini, Pogradeci apo Gjirokastra, që po përballen gjithashtu me dëme të konsiderueshme nga moti i keq dhe përmbytjet, marrin transferta më të ulëta për ujitjen dhe kullimin, në nivele që nuk i kalojnë 29 milionë lekë për secilën njësi vendore. Këto shifra ngrenë pikëpyetje mbi mjaftueshmërinë e fondeve në raport me përmasat reale të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.