Secondary Adv

2.5 mln prona, si do të funksionojë Kadastra Fiskale, taksa e pasurisë me vlerë tregu nga viti 2028

Rreth 2.5 milionë pasuri të paluajtshme do të regjistrohen gradualisht në Kadastrën Fiskale, duke hapur rrugën për aplikimin e taksës së pronës sipas vlerës së tregut.

Kadastra Fiskale, baza e reformës së re të pronës

Rreth 2.5 milionë pasuri të paluajtshme të qytetarëve shqiptarë do të përfshihen gradualisht në Kadastrën Fiskale, e cila tashmë është funksionale dhe do të shërbejë si bazë për aplikimin e taksës së re të pronës. Sipas Programit Buxhetor Afatmesëm 2026–2028, kostoja e regjistrimit të pronave llogaritet në rreth 25.7 milionë lekë, ose mesatarisht 10.2 lekë për çdo pasuri të regjistruar.

 

Në kuadër të projektit “ProTax Albania”, që synon zbatimin e taksës së pronës të bazuar në vlerën e tregut, për vitin 2026 janë parashikuar shpenzime prej 8.7 milionë lekësh.

 

Ligj i ri dhe integrimi i bashkive

Ministria e Financave ka ngritur tashmë Kadastrën Fiskale dhe, në bashkëpunim me partnerë suedezë, ka hartuar një projektligj të ri sipas standardeve europiane, i cili pritet të miratohet brenda këtij viti.

 

Sipas planifikimit zyrtar, gjatë vitit 2026 të gjitha bashkitë e vendit do të jenë të integruara në sistemin e Kadastrës Fiskale dhe do të nisë procesi gradual i regjistrimit të pronave.

 

Vlerësimi i pronave dhe hyrja në fuqi e taksës së re

Në vitin 2027 parashikohet të zhvillohet procesi kombëtar i vlerësimit të pronave, i cili do të shërbejë si bazë për llogaritjen e taksës sipas vlerës reale të tregut. Ligji i ri për taksën e pasurisë pritet të hyjë në fuqi në vitin 2028.

 

Në një fazë të mëvonshme, konkretisht në vitin 2030, është parashikuar edhe zbatimi i taksës mbi tokën dhe truallin, duke përmbyllur kështu reformën e plotë të taksimit të pasurisë.

 

Të ardhurat për bashkitë dhe normat e pritshme

Buxheti i vitit 2026 parashikon një rritje të mëtejshme të të ardhurave nga taksa e pasurisë për llogari të bashkive, me një total vjetor prej rreth 10 miliardë lekësh, ose afro 100 milionë euro. Kjo shifër është rreth 1.4 miliardë lekë më e lartë krahasuar me vitin 2025.

 

Megjithatë, pavarësisht ligjit të ri dhe funksionimit të Kadastrës Fiskale, suksesi i reformës do të varet nga angazhimi i bashkive në zbatimin praktik. Aktualisht parashikohet që taksa e pronës të variojë nga 0.035% deri në 0.065% për banesat dhe nga 0.14% deri në 0.26% për ambientet komerciale, por koeficientët përfundimtarë do të përcaktohen në projektligjin që pritet të hidhet për konsultim publik.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat