Secondary Adv

Moti i keq, Kumbaro: Mësimi është pezulluar në 54 shkolla në gjithë vendin

Reshjet intensive dhe përmbytjet kanë detyruar ndërprerjen e procesit mësimor në dhjetëra institucione arsimore, kryesisht në Durrës dhe jug të vendit.

Situata e krijuar nga moti i keq ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta në sistemin arsimor. Në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se mësimi është pezulluar në 54 shkolla në të gjithë vendin.

 

Shkollat e prekura nga përmbytjet

Sipas Kumbaros, shumica e institucioneve ku mësimi është ndërprerë ndodhen në qarkun e Durrësit, në zona si Kruja, Sukthi dhe Katundi i Ri. Probleme janë raportuar edhe në qarqet Fier, Gjirokastër dhe Vlorë, ku reshjet e dendura kanë vështirësuar funksionimin normal të shkollave.

 

Mes institucioneve të prekura është edhe Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu”, ku mësimi është pezulluar prej tre ditësh radhazi për shkak të përmbytjeve në ambientet e kampusit.

 

Rama: Problematika strukturore në zonat e ulëta

Gjatë të njëjtës mbledhje, kryeministri Edi Rama komentoi situatën në qarkun e Durrësit, duke theksuar se përmbytjet lidhen me problematika strukturore të trashëguara ndër vite.

 

Ai u shpreh se në disa investime të rëndësishme publike dhe private në këtë zonë, përfshirë projektet e rindërtimit dhe investime të tjera, është dashur ngritja e kuotës së ndërtimit deri në dy metra, për shkak të terrenit dhe rrezikut nga uji.

 

Sipas Ramës, ndërtimet nën kuotë në zonat informale e bëjnë objektivisht të pamundur shmangien e grumbullimit të ujit, duke krijuar rezervuare në zona të banuara. Megjithatë, ai theksoi se këtë herë ndikimi ka qenë më i kufizuar krahasuar me vitet e kaluara, falë investimeve të bashkisë së Durrësit dhe mbështetjes së qeverisë.

Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat