Rama: Do garantohet kompensim i plotë për dëmet nga përmbytjet
Qeveria siguron zhdëmtim të plotë për banesat, tokat bujqësore dhe gjënë e gjallë, pas reshjeve intensive dhe përmbytjeve në disa qarqe të vendit.

Nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama u zhvillua mbledhja e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, ku u bë përditësimi i situatës së krijuar nga moti i keq dhe reshjet intensive të ditëve të fundit në disa zona të vendit.
Garanci për kompensim të plotë
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama garantoi se qeveria do të përmbushë çdo detyrim ndaj familjeve dhe subjekteve të prekura nga përmbytjet, duke theksuar se procesi i kompensimit do të realizohet me dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik. Kompensimet do të përfshijnë dëmet në banesa, tokë bujqësore dhe gjënë e gjallë.
Ai nënvizoi se Ministria e Financave është e përgatitur financiarisht për të mbështetur të gjithë procesin e zhdëmtimeve, ndërsa strukturat shtetërore dhe pushteti vendor do të vijojnë punën në terren deri në normalizimin e plotë të situatës.
“Kur erdhëm në qeveri trashëguam edhe borxhe të mëdha nga përmbytjet e mëparshme. Ne i kemi shlyer një më një dhe nuk kemi hyrë më në borxhe të tilla me qytetarët. Përkundrazi, kemi përballuar me dinjitet detyrimet nga përmbytjet, zjarret, pandemia dhe tërmeti, duke dalë më të fortë dhe më të përgatitur për sfidat e së nesërmes”, u shpreh Kryeministri Rama.
Verifikimi i dëmeve dhe roli i pushtetit vendor
Kryeministri bëri të ditur se pas normalizimit të situatës do të nisë faza e dytë, ajo e verifikimit në terren të dëmeve, si hapi i parë drejt kompensimit. Ai theksoi se procesi do të realizohet në bashkëpunim të ngushtë mes autoriteteve qendrore, bashkive dhe përfaqësuesve të zgjedhur.
Rama u bëri thirrje deputetëve që të jenë të pranishëm në zonat e tyre, jo për arsye politike, por për t’u qëndruar pranë qytetarëve pa dallim dhe për të bashkëpunuar me strukturat vendore në mënyrë që procesi i zhdëmtimit të jetë sa më i drejtë dhe efikas.
Bilanci i situatës nga përmbytjet
Sipas të dhënave të paraqitura në mbledhje, në rang vendi janë konstatuar 1,587 banesa në praninë e ujit, janë evakuuar 339 persona nga 51 familje dhe janë prekur mbi 13 mijë hektarë tokë bujqësore. Prania e ujit është konstatuar gjithashtu në disa objekte arsimore dhe qendra shëndetësore.
Reshjet e fundit kanë qenë të jashtëzakonshme, duke arritur deri në 300 milimetra në disa zona, sasi që korrespondon me reshjet mesatare mujore të janarit, por të rëna brenda vetëm 3–4 ditësh. Në disa zona të ultësirës perëndimore, reshjet e këtyre ditëve përbëjnë rreth një të katërtën e sasisë vjetore.
Si pasojë, lumenj si Drini, Buna, Mati, Ishmi, Erzeni, Shkumbini, Devolli, Osumi, Semani dhe Vjosa kanë pasur prurje shumë të larta, duke sjellë përmbytje pavarësisht infrastrukturës mbrojtëse të ndërtuar ndër vite.
Investimet në infrastrukturën mbrojtëse
Kryeministri theksoi se hidrovoret kanë funksionuar pa ndërprerje dhe kanë evaduar sasi të konsiderueshme uji, duke shmangur pasoja shumë më të rënda. Shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës kanë qenë të kontrolluara dhe niveli i Bunës nuk ka arritur kuotat kritike që do të sillnin përmbytje masive në zonën e Nënshkodrës.
Ai bëri të ditur se vetëm vitin e kaluar janë investuar rreth 25 milionë euro në infrastrukturën e kullimit, ndërsa këtë vit bashkitë do të investojnë rreth 11 milionë euro. Në dekadën e fundit, investimet totale në këtë sektor arrijnë rreth 250 milionë euro, duke përfshirë rindërtimin e qindra kanaleve ujitëse e kulluese, përforcimin e argjinaturave, rikthimin në funksion të hidrovorëve dhe rritjen e sigurisë së digave.
Në përfundim, Kryeministri Rama bëri thirrje për solidaritet dhe bashkëpunim, duke theksuar se përballë emergjencave natyrore prioritet mbetet mbrojtja e qytetarëve dhe rikthimi sa më i shpejtë i jetës normale.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






