Secondary Adv

Stuhia Goretti godet Evropën, qindra mijëra persona mbeten në errësirë

Erëra ekstreme, reshje dëbore dhe ndërprerje masive të energjisë elektrike kanë përfshirë disa vende evropiane, ndërsa autoritetet paralajmërojnë rrezik të lartë për jetën dhe qarkullimin.

Stuhia Goretti ka përfshirë Evropën Veriore, duke goditur veçanërisht Francën dhe Britaninë, ku erërat e fuqishme dhe temperaturat e ulëta kanë lënë qindra mijëra familje pa energji elektrike. Meteorologët në disa vende u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë brenda, ndërsa janë lëshuar paralajmërime të nivelit më të lartë për mot ekstrem.

 

Franca dhe Britania, më të prekurat

Në Francë, rreth 380 mijë familje mbetën pa energji elektrike, kryesisht në rajonin verior të Normandisë, sipas kompanisë së shpërndarjes Enedis. Në rajonin Mançe janë regjistruar erëra që arritën deri në 216 kilometra në orë, duke shkaktuar rrëzimin e pemëve dhe dëme në ndërtesa, megjithëse nuk raportohet për të lënduar. Në Britani, sipas BBC-së, rreth 65 mijë familje janë prekur nga ndërprerjet e energjisë.

 

Shërbimi Meteorologjik Britanik ka lëshuar alarm të kuq për erëra në ishujt Skilli dhe Kornuall, ndërsa në disa zona priten erëra deri në 160 kilometra në orë dhe valë të rrezikshme në bregdet. Njëkohësisht, është shpallur alarm portokalli për reshje dëbore në Uells, Anglinë Qendrore dhe veriore, me trashësi bore që mund të arrijë deri në 30 centimetra.

 

Transporti dhe shkollat në vështirësi

Trafiku hekurudhor në Britani pritet të ndikohet ndjeshëm gjatë ditëve në vijim, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme. Në veri të Francës, shkollat mbeten të mbyllura dhe paralajmërimet për mot të keq janë zgjeruar në dhjetëra rajone të tjera.

 

Autoritetet lokale në Francë u kanë kërkuar banorëve të shmangin përdorimin e automjeteve, të sigurojnë furnizime bazë dhe të përgatiten për ndërprerje të zgjatura të energjisë.

 

Viktima dhe ndikim edhe në Ballkan

Kushtet ekstreme të motit në Evropë kanë shkaktuar deri tani të paktën tetë viktima. Në Shqipëri, autoritetet kanë gjetur trupin e një burri në ujërat e përmbytura në Durrës, pas reshjeve të rrëmbyeshme dhe borës që goditi rajonin. Në Kosovë janë raportuar përmbytje dhe dëme materiale në disa zona, por pa humbje jete.

 

Gjermania përgatitet për ditë të vështira

Në Gjermani, reshjet e borës dhe erërat e forta pritet të ndikojnë në shkolla, spitale dhe transport, veçanërisht në veri të vendit, ku trashësia e borës mund të arrijë deri në 15 centimetra. Në jug ekziston rrezik i lartë për ngrica, ndërsa temperaturat gjatë fundjavës mund të zbresin deri në -20 gradë Celsius.

 

Disa qytete, përfshirë Hamburgun dhe Bremenin, kanë njoftuar mbylljen e shkollave. Kompania hekurudhore Deutsche Bahn ka paralajmëruar për vonesa të mëdha dhe ka angazhuar mbi 14 mijë punonjës për pastrimin e borës nga shinat dhe platformat.

 

Sipas Shërbimit Meteorologjik gjerman, stuhia Goretti pritet të zgjasë deri të shtunën, ndërsa reshjet e borës do të pakësohen në fillim të javës. Meteorologët theksojnë se ky episod përfaqëson një përjashtim nga dimrat më të butë të viteve të fundit, të lidhur me ndryshimet klimatike, por paralajmërojnë se i gjithë muaji mund të mbetet i ftohtë dhe me reshje bore.

Burimi: Ballkanweb.com


Më të lexuarat