Bilanc historik, Dogana e Kosovës derdh rreth 2 miliardë euro në arkën e shtetit
Dogana e Kosovës ka mbyllur vitin 2025 me bilanc historik.
Drejtori Agron Llugaliu ka njoftuar se të hyrat kanë arritur në 1.965 miliardë euro, duke tejkaluar pritjet e Qeverisë dhe duke e cilësuar vitin si më të suksesshmin e institucionit.
Performanca fiskale e Doganës së Kosovës në vitin 2025 ka arritur në nivelet më të larta të dekadës.
Me mbi 132 milionë euro më shumë se një vit më parë dhe rritje prej 3.5 për qind ndaj projeksioneve të Qeverisë, Dogana është konfirmuar si një ndër institucionet më të qëndrueshme dhe më efikase të administratës publike.
Drejtori i Doganës, Agron Llugaliu, ka bërë të ditur se të hyrat totale kanë arritur në 1.965 miliardë euro, duke e cilësuar vitin 2025 si periudhë të performancës së lartë fiskale, operacionale dhe institucionale.
Ai theksoi se rezultatet janë arritur pavarësisht zbatimit të politikave lehtësuese për bizneset dhe lirimeve doganore për prodhuesit.
Vetëm gjatë vitit 2025, lirimet nga taksat dhe marrëveshjet e tregtisë së lirë kanë arritur vlerën e 67 milionë eurove, ndërsa totali i lirimeve në këto kategori ka shkuar në 407 milionë euro.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në këto rezultate është lufta kundër ekonomisë joformale, e cila është intensifikuar ndjeshëm gjatë vitit që lamë pas.
Llugaliu tha se kjo ka bërë që rritja e të hyrave të jetë pothuajse dy herë më e shpejtë se rritja ekonomike, ndërsa sekuestrimet dhe konfiskimet kanë tejkaluar dukshëm nivelin e vitit 2024 – duke qenë më shumë se katër herë më të larta krahasuar me vitin 2019.
Në aspektin e sigurisë, Dogana ka forcuar bashkëpunimin me institucionet e tjera shtetërore për goditjen e drejtpërdrejtë të kontrabandës me narkotikë, armë, eksploziv dhe mallra të rrezikshme, duke e bërë këtë institucion pjesë të rëndësishme të mbrojtjes së shoqërisë.
Sipas të dhënave të CEFTA-s, Kosova prin në rajon për kohën më të shpejtë të zhdoganimit, çka e pozicionon Doganën e Kosovës si një nga administratat më efikase doganore në Ballkanin Perëndimor.
Në drejtim të zhvillimit institucional, Llugaliu përmend reformat e vazhdueshme, dixhitalizimin dhe inovacionin teknologjik, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale në menaxhimin e riskut dhe sistemet Track & Trace, që po e bëjnë Doganën më moderne dhe më funksionale.
Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e rekrutimit të 107 zyrtarëve të rinj doganorë, si investim strategjik për ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme për të ardhmen.
“Në thelb, këto rezultate përkthehen në një Doganë më të fortë, për një ekonomi më të drejtë dhe një shoqëri më të sigurt”, përfundon Llugaliu në mesazhin e tij.