Autostrada Tiranë–Durrës, korsitë e reja hapen këtë muaj
Korsitë e reja në segmentin nga kthesa e Kamzës deri te mbikalimi i Rinasit pritet të hapen për qarkullim brenda janarit, duke lehtësuar ndjeshëm trafikun.
Korsitë e reja të autostradës Tiranë–Durrës, në segmentin që nis pas kthesës së Kamzës dhe përfundon te mbikalimi i Rinasit, parashikohet të hapen për qarkullimin e automjeteve brenda muajit janar. Lajmi u bë i ditur nga përgjegjësi i Menaxhimit të Kontratave pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gëzim Noni, gjatë një interviste në emisionin “Inside News” në TV SCAN.
Sipas Nonit, ndonëse dy kontratat për këtë segment kanë afate përfundimi që shtrihen deri në maj dhe shtator të këtij viti, qarkullimi i automjeteve do të mundësohet shumë më herët, ndërsa punimet që nuk lidhen drejtpërdrejt me trafikun do të vijojnë paralelisht.
Hapja varet nga kushtet e motit
Ai theksoi se objektivi është që korsitë të hapen brenda këtij muaji, por gjithçka mbetet e kushtëzuar nga moti, pasi shtresa e fundit e asfaltit është e ndjeshme ndaj temperaturave të ulëta dhe lagështirës. Sipas tij, një mot i pafavorshëm mund të ndikojë në afatet përfundimtare.
Faza e tretë e projektit ka nisur
Noni bëri të ditur se tashmë ka hyrë në zbatim edhe faza e tretë e punimeve, e cila përfshin ndërtimin e nyjes që lidh rrugën e Laknasit me autostradën e zgjeruar, si dhe vazhdimin e punimeve deri te ura e Limuthit. Kontrata për këtë fazë është nënshkruar në tremujorin e fundit të vitit 2025 dhe ndodhet ende në fazat e para të zbatimit.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, pritshmëritë janë që gjatë këtij viti të ketë rezultate konkrete edhe nga kjo fazë, duke kompletuar më tej nyjet lidhëse në një zonë me zhvillim të lartë industrial dhe urban.
Lehtësim i ndjeshëm i trafikut
Hapja për qarkullim e segmentit nga kthesa e Kamzës deri në mbikalimin e Rinasit pritet të sjellë përmirësim të ndjeshëm të trafikut në një nga pikat më problematike të kryeqytetit. Ky segment shërben si dalje kryesore e Tiranës drejt veriut dhe veriperëndimit dhe lidhet drejtpërdrejt me degëzimin e Rinasit, autostradën Thumanë–Kashar dhe aksin drejt Durrësit.
Pas përfundimit të plotë të projektit, autostrada Tiranë–Durrës do të ketë gjithsej 8 korsi, nga 4 në secilin drejtim, ndërsa shpejtësia e lejuar do të variojë nga 90 deri në 140 kilometra në orë.