Secondary Adv

Kryeministri: Shtesa e pensioneve do të dyfishohet çdo vit

Qeveria nis rritjen graduale të pensioneve nga janari 2026, me një skemë progresive që parashikon dyfishim vjetor të shtesës.

Kryeministri deklaroi se viti 2026 shënon një kthesë të rëndësishme për pensionet në Shqipëri, duke konfirmuar nisjen e rritjes graduale të tyre, në përputhje me angazhimin e marrë gjatë fushatës zgjedhore dhe të miratuar nga Kuvendi.

 

Gjatë podkastit “Flasim”, Rama u shpreh se rritja e pensioneve ka nisur që nga ky muaj janar, sipas kategorive përkatëse, ndërsa shtesa që u është dhënë pensionistëve do të dyfishohet çdo vit.

 

Sipas tij, pensionistët në janarin e ardhshëm do të përfitojnë dyfishin e shtesës së këtij viti, në janarin pasues trefishin, më pas katërfishin, ndërsa në Shqipërinë e vitit 2030 progresioni do të ndalet te pesëfishimi i shtesës së janarit 2026.

 

Reforma dhe stabilitet financiar

Kryeministri e cilësoi këtë proces si një çlirim personal dhe institucional, duke theksuar se rritja e pensioneve është rezultat i viteve reformash, rritjes ekonomike dhe përmirësimit të ndjeshëm të mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave.

 

Sipas Ramës, këto reforma e kanë sjellë vendin në një pikë ku rritja e pensioneve mund të realizohet pa cenuar stabilitetin financiar të shtetit dhe pa rrezikuar financat publike.

 

Ai kujtoi se për vite me radhë qeveria ka treguar përmbajtje, duke mos ndërmarrë rritje të nxituara të pensioneve, për të shmangur pasojat afatgjata në buxhetin e shtetit.

 

“Unë e di se si i kam shtrënguar dhëmbët për të bërë durim, se si ndihesha dhe sa e vështirë ishte të thosha se nuk ka mundësi dhe nuk kemi lekë për ta bërë. Duhej më parë të rrisnim mundësitë e shtetit, sepse nuk mund të minojmë shtëpinë ku rriten fëmijët tanë”, u shpreh Rama.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat