Rritet akciza për duhanin, në 2027 aplikohet kalendar i ri, çmime më të larta
Rritja progresive e akcizës po reflektohet në çmimet e paketave të cigareve, ndërsa nga viti 2027 pritet një skedul i ri në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
Duhanpirësit po përballen me çmime më të larta të paketave të cigareve, si pasojë e rritjes së akcizës për duhanin. Kjo rritje vjen në zbatim të kalendarit të miratuar në vitin 2022, i cili parashikonte një skedul pesëvjeçar për rritjen progresive të akcizës, me synimin për të dekurajuar konsumin e duhanit në vend.
Janari 2026 është viti i fundit i këtij kalendari. Për këtë vit, akciza për duhanin është rritur mesatarisht me rreth 250 lekë për kilogram, rritje e cila është reflektuar edhe në çmimin final të shitjes, me një shtesë prej rreth 20–30 lekësh për paketë.
Deri më 31 dhjetor 2025, detyrimi i akcizës për cigaret apo purot që përmbajnë duhan ishte 7,500 lekë për 1,000 fije cigare. Nga 1 janari 2026, kjo vlerë është rritur në 7,750 lekë për 1,000 fije cigare.
Kalendar i ri i akcizës nga viti 2027
Në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024–2027 parashikohet hartimi i një kalendari të ri për rritjen e nivelit të akcizës së duhanit dhe nënprodukteve të tij për periudhën 2027 e në vijim.
Dokumenti argumenton se në Shqipëri, për disa mallra të akcizueshme si duhani, nuk aplikohet ende skema e kombinuar e taksimit, e cila përfshin një tarifë specifike për njësi produkti dhe një tarifë me përqindje mbi çmimin e shitjes. Hartimi i një kalendari të ri synon përafrimin gradual me nivelin e akcizës që aplikohet në vendet e Bashkimit Europian, si dhe unifikimin e nivelit të taksimit mes duhanit dhe nënprodukteve të tij.
Duhanpirja mbetet e lartë në Shqipëri
Të dhënat tregojnë se një në katër të rritur në Shqipëri konsumon duhan, ose rreth 25 për qind e popullsisë madhore. Sipas një studimi të realizuar nga organizata e shoqërisë civile Development Solutions Associates, niveli i duhanpirjes është veçanërisht i lartë te meshkujt, me rreth 42 për qind, ndërsa te femrat kjo shifër është rreth 7 për qind.
Duhanpirja konsiderohet një barrë e rëndë shëndetësore dhe ekonomike për individët dhe sistemin publik, ndërsa politikat fiskale përmes rritjes së akcizës synojnë uljen e konsumit në afatgjatë.
Rëndësia e akcizës në të ardhurat buxhetore
Akciza përbën rreth 11 për qind të të ardhurave tatimore vjetore të shtetit. Nga kjo shumë, rreth 35 për qind e të ardhurave nga akciza sigurohen nga nënproduktet e duhanit, duke e bërë këtë kategori një burim të rëndësishëm për buxhetin e shtetit.