
Ligj i ri per taksen e shtepive, ja skema e pageses sipas tregut
Ligji për taksat vendore shumë shpejt do të plotësohet me një ligj të veçantë për rregullim e taksës së pasurisë. Brenda muajit mars të 2017-s, qeveria pritet të kalojë ligjin e ri për financat vendore, i cili i hap rrugë hartimit të ligjit të veçantë për taksën e pasurisë. Për llogari të qeverisë shqiptare, ligji i financave vendore është hartuar nga USAID-i.
Projektligji u prezantua dje nga përfaqësuesja e USAID, Silvana Meko, në takimin e zhvilluar me anëtarët e biznesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Bashkisë të Tiranës.Për taksën e pasurisë, Meko shpjegoi se brenda 2017-s synohet përfundimi i kadastrës fiskale me hedhjen e të dhënave për të gjitha pasuritë e paluajtshme, që do të shoqërohet me një kuadër ligjor. USAID po mbështet projektet pilot të 5 bashkive në përfundimin e kadastrës fiskale.
Ligji
Ekspertja për taksat e USAID, Silvana Meko, shpjegoi se për taksën e pasurisë do të ketë një ligj të veçantë. “Ligji për taksat vendore, që përfshin edhe taksimin e pasurisë, shumë shpejt do të plotësohet me një ligj të veçantë të taksës të pasurisë. Është në planet e Ministrisë së Financave hartimi i kadastrës fiskale, i kësaj baze të madhe të të dhënave për pasurinë e subjekteve të taksueshme që do të shoqërohet dhe me një kuadër ligjor. Objektivi i qeverisë është që të ndërtohet një kadastër fiskale qendrore, pronë e Ministrisë së Financave, ku akses do të kenë edhe bashkitë. Këto janë planet afatshkurtra, pasi kadastra duhet të jetë gati brenda vitit 2017”, shpjegoi Meko.
Drafti i përgatitur nga USAID sjell për herë të parë një ligj për financat vendore, ku specifikon përkufizimet e taksës së pasurisë, taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe taksës së përkohshme.“Ligji për financat vendore, që ne presim të kalojë në Parlament brenda 3- mujorit të parë të 2017-s, pra në mars, pritet të jetë i miratuar. Ligji vendos disa përkufizime të rëndësishme për taksat vendore, siç është ajo e taksës së pasurisë, e ndikimit në infrastrukturë, që do tëpërdoret vetëm për investime. Në ligj përfshihet edhe kufizimi i taksave të përkohshme. Ky ligj është akoma projekt dhe deri në miratimin e tij, do të reflektohen ndryshimet e ministrive të linjës dhe qeverisë apo të komisioneve dhe Parlamentit”, tha Meko.
Taksa e pasurisë
Për përfaqësuesen e USAID, Silvana Meko, kalimi i taksës së pasurisë mbi bazën e vlerës, mund të jetë në planin afatmesëm apo edhe afatgjatë, ndërsa rajoni aplikon prej kohësh këtë formulë.“Në Shqipëri ka dy sisteme për taksën e pasurisë, njëra është taksa e pasurisë e përvitshme, që paguhet për ndërtesat dhe për tokën bujqësore dhe truallin urban. Shqipëria përjashtohet nga vendet e Europës, por edhe rajonit, pasi aplikon tarifa fikse për metër katror mbi bazën e zonave, ndërsa vendet e tjera prej kohësh e aplikojnë këtë taksë mbi bazën e vlerës. Në Shqipëri mund të jetë në planin afatmesëm apo afatgjatë kalimi i kësaj takse mbi bazën e vlerës”, tha Meko.
Përfaqësuesja e USAID-it shpjegoi edhe përmbajtjen e bazës të dhënave. Taksa e pasurisë nuk do të ndryshojë për 2017- n, por ndërtimi i kadastrës fiskale, që do të jetë baza e të dhënave për të gjitha pasuritë e paluajtshme, të lidhura me adresën dhe pronarin, do t’u japë mundësi bashkive të administrojnë këtë taksë”, u shpreh Meko.USAID po mbështet 5 bashki për ngritjen e bazës së të dhënave. “Bashkitë nuk do të presin për gjithë jetën qeverinë që të ndërtojë kadastrën fiskale. Disa prej tyre kanë ndërtuar kadastrat fiskale lokale. Ne si projekt kemi mbështetur iniciativat e bashkive Fier, Korçë, Lushnjë, Kamzë dhe Elbasan”, u shpreh Meko.
Më të lexuarat








