Secondary Adv

Raporti i kredive me probleme ra lehtë për nëntorin

Raporti i kredive me probleme shënoi një rënie të lehtë në muajin nëntor, duke u ulur në 4.19% të totalit të kredisë, sipas statistikave zyrtare të Bankës së Shqipërisë.

Raporti i kredive me probleme pësoi një rënie të lehtë në muajin nëntor të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të publikuara nga, kreditë me probleme përbënin 4.19% të totalit të portofolit të kredisë, nga 4.33% që ishin në fund të muajit tetor.

 

Treguesi ruan gjithashtu një prirje të lehtë rënëse edhe në bazë vjetore. Në nëntorin e vitit 2024, raporti i kredive me probleme kishte qenë 4.48%, duke reflektuar një përmirësim të moderuar krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

 

Megjithatë, muaji nëntor nuk solli ndryshime të ndjeshme nga tendenca e përgjithshme e vitit 2025, e cila është karakterizuar kryesisht nga një ecuri stanjacionare, madje me luhatje të lehta rritëse, veçanërisht në pjesën e dytë të vitit.

 

Stoku i kredive me probleme dhe zgjerimi i kredisë

Në terma absolutë, stoku i kredive me probleme vlerësohet të ketë arritur rreth 38.8 miliardë lekë, duke shënuar një rënie të lehtë krahasuar me nivelin prej 39.6 miliardë lekësh që ishte regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Kjo ecuri vjen në një kontekst të zgjerimit të shpejtë të kredisë për ekonominë. Në fund të nëntorit 2025, portofoli i përgjithshëm i kredisë arriti në 925.2 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 12.2%. Rritja është mbështetur kryesisht nga kreditimi për individët, si në huatë për blerjen e banesave, ashtu edhe në kreditë konsumatore.

 

Masat kufizuese dhe vlerësimi i Bankës Qendrore

Në mesin e vitit 2025, Banka e Shqipërisë nisi zbatimin e disa masave kufizuese për administrimin e riskut në huadhënien për blerjen e banesave. Bankat u ndaluan të financojnë blerjen e banesave në masën 100% dhe u vendosën kritere të detyrueshme për raportin e këstit të kredisë ndaj të ardhurave, duke lejuar një marzh përjashtimi prej 15% nga këto kufizime.

 

Megjithatë, në muajt e parë të aplikimit të këtyre masave, nuk është vërejtur një frenim domethënës në ritmet e kredidhënies për financimin e blerjes së banesave.

 

Në një prononcim për “Monitor” në fund të vitit 2025, Banka e Shqipërisë theksoi se raporti i kredive me probleme, pas një rënieje të qëndrueshme në vitet e kaluara, është luhatur gjatë pjesës më të madhe të vitit 2025 pranë nivelit 4% dhe pritet ta mbyllë vitin në një nivel lehtësisht më të lartë.

 

Sipas Bankës Qendrore, ngadalësimi i rënies së këtij treguesi ishte i pritshëm, duke pasur parasysh rritjen e shpejtë të kredisë në vitet e fundit, ndërsa ecuria gjatë vitit 2025 është ndikuar edhe nga raste të veçanta. Institucioni vlerëson se bankat duhet të ruajnë vëmendjen në analizën e aplikimeve për kredi dhe në monitorimin e portofolit, për të shmangur relaksimin e standardeve të kreditimit si pasojë e zgjerimit të shpejtë të kredisë dhe rritjes së konkurrencës në treg.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat