Autostrada Elbasan–Lekaj, gati hapja e 4 tenderëve për 21 km të mbetur
ARRSH përgatit procedurat për përmbylljen e segmentit Elbasan–Rrogozhinë në Korridorin 8.
Hapja e tenderëve dhe segmenti i mbetur
Autoriteti Rrugor Shqiptar planifikon hapjen e tenderëve për ndërtimin e segmentit nga Pajova e Peqinit deri në Rrogozhinë, pjesë e Korridorit 8. Janë gati katër procedura prokurimi që synojnë përmbylljen e segmentit nga ish-Metalurgjiku në Elbasan drejt qytetit të Rrogozhinës. Sipas ARRSH-së, projekti është përfunduar dhe miratuar nga ky institucion dhe pritet vetëm hapja e procedurave për vijimin e punimeve.
Shtrirja e aksit Elbasan–Lekaj
Aksi rrugor Elbasan–Lekaj përshkon ultësirën e luginës së Lumit të Shkumbinit nga qyteti i Elbasanit deri në afërsi të grykëderdhjes së tij. Ai kalon në rajonet Elbasan, përfshirë zonat Bradashesh, Shirgjan, Gjegjan, Cërrik dhe Papër, në rajonin e Peqinit, përmes Pajovës, Shezit, Gjocajt, Peqinit dhe Karinës, si dhe në rajonin e Kavajës, duke përfshirë Sinaballajn dhe Rrogozhinën.
Lotet në ndërtim dhe kilometrat e mbetur
Aktualisht, në këtë aks po punohet në gjashtë lote që mbulojnë rreth 20 kilometra, nga 40.7 kilometra që është gjatësia totale e rrugës. Kjo do të thotë se katër kontratat e reja do të mbulojnë ndërtimin e rreth 21 kilometrave të mbetur, duke e çuar drejt përfundimit të plotë këtë segment strategjik.
Lidhja me korridorin Veri–Jug
Në gjendjen ekzistuese, aksi kalon në rrëzë të kodrave në anën veriore të lumit deri në dalje të qytetit të Peqinit dhe vijon më pas në zonën fushore drejt Rrogozhinës, ku realizohet edhe lidhja me korridorin Veri–Jug, në zonën e njohur si Bishti i Zhurit.
Afatet e përfundimit të punimeve
Sipas afateve të kontratave të nënshkruara, 20 kilometrat e parë të këtij aksi pritet të përfundojnë në dhjetor të këtij viti. Autoritetet e konsiderojnë këtë afat të arritshëm, pasi ecuria e punimeve po zhvillohet sipas grafikut dhe nuk janë hasur probleme me shpronësimet.