Fotovoltaikët, 71 subjekte të licencuara në prodhim deri në fund të 2025
Numri i impianteve diellore të licencuara në prodhim arriti në 71, ndërsa investimet private kapin rreth 2 miliardë euro.
Investimet në prodhimin e energjisë nga impiantet fotovoltaikë janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Të dhënat zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë tregojnë se viti 2025 u mbyll me të paktën 71 subjekte të licencuara në prodhimin e energjisë nga impiante diellorë në Shqipëri.
Më i fundit i licencuar është Spitalla Solar, pjesë e Voltalias, investimi i dytë i kësaj kompanie në vend pas Karavastasë, e cila ka nisur prodhimin që në fund të vitit 2023. Pavarësisht se pjesa dërrmuese e licencave janë marrë nga operatorë me kapacitet të instaluar relativisht të ulët prej 2 deri në 10 MW, të paktën 14 subjekte kanë kapacitete të instaluara që variojnë nga 20 deri në 140 MW.
Vetëm këto subjekte të mëdha kanë një kapacitet total të instaluar prej rreth 780 MW, ku një pjesë tashmë ka hyrë në prodhim, ndërsa shumica e projekteve janë ende në ndërtim e sipër.
Nxitja ligjore dhe kriza e energjisë
Interesi për energjinë diellore mori një shtysë të fortë pas miratimit të kuadrit ligjor për burimet e rinovueshme, por edhe përmes ankandeve të zhvilluara fillimisht nga qeveria dhe më pas nga projektet konkrete të sektorit privat, të cilat u shtuan ndjeshëm pas krizës energjetike.
Ky interes mbetet konstant edhe aktualisht. Investitorë që tashmë kanë projekte të përfunduara, si Karavasta Solar e Voltalias apo kompania InfoTelecom, e cila ka gjithashtu investime në fotovoltaikë, kanë nxitur bashkëpunime të reja për marrjen e tokës në përdorim nga palë private për zhvillimin e projekteve të reja.
Shifrat e investimeve private
Pak ditë më parë, gjatë një aktiviteti për energjinë nga era, ku qeveria shqiptare dorëzoi autorizimin për kompaninë CWP për ndërtimin e një impianti eolik me kapacitet 600 MW në Tropojë, u publikuan edhe shifra konkrete mbi interesin për fotovoltaikët. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se investimet private në këtë segment, të kryera apo në proces, vlerësohen në rreth 2 miliardë euro.
“Gjatë këtyre viteve, në tërësi në sektorin energjetik shqiptar janë angazhuar mbi 2 miliardë euro investime dhe sot kemi mbi 700 MW kapacitete të reja energjetike private fotovoltaike në operim, si dhe rreth 400 MW kapacitete të shtuara vetëprodhimi. Kemi një portofol të ardhshëm që pritet t’i çojë këto kapacitete në rreth 1500 MW me teknologji fotovoltaike dhe eolike, si dhe mbi 1600 MW projekte të reja në fazë studimi dhe lehtësimi financiar”, u shpreh Balluku.