Secondary Adv

Afat deri në 31 mars për dorëzimin e DIVA 2025, si do të funksionojë kompensimi dhe kush ka detyrim

Dorëzimi i DIVA 2025 mbyllet më 31 mars 2026 dhe përfshin rregulla të reja për kompensim familjar.

Afati dhe kush ka detyrim të deklarojë

Afati për dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale DIVA për periudhën janar–dhjetor 2025 është 31 mars 2026. Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se kanë detyrim për të deklaruar të ardhurat personale vjetore individët që gjatë vitit 2025 kanë realizuar të ardhura mbi 1,2 milionë lekë nga të gjitha burimet.

 

Detyrimi për dorëzimin e DIVA-s vlen gjithashtu për individët që, për të paktën një muaj gjatë vitit 2025, kanë qenë të punësuar pranë më shumë se një punëdhënësi. Po ashtu, deklarimi është i detyrueshëm edhe për ata që kanë realizuar të ardhura mbi 50 mijë lekë për të cilat nuk është paguar tatimi në burim, si të ardhurat nga platformat Booking, Airbnb, YouTube, qiradhënia apo burime të tjera të ngjashme.

 

Mundësia për korrigjim të deklaratës

Sipas Ministrit të Financave, legjislacioni parashikon edhe mundësinë e korrigjimit të deklaratës vjetore. “Individi mund të paraqesë deklaratë korrigjuese brenda afateve ligjore, nëse konstaton pasaktësi në të dhënat e deklaruara”, u shpreh Malaj.

 

Kompensimi ushqimor dhe arsimor për fëmijët

Për herë të parë, me ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore”, prindërit dhe kujdestarët ligjorë me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të përfitojnë kompensim ushqimor dhe arsimor për fëmijët në ngarkim përmes deklaratës DIVA 2025. Skema synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve, duke ofruar zbritje nga baza tatimore në varësi të numrit të fëmijëve dhe shpenzimeve të kryera për arsimimin e tyre.

 

Përfitimi u takon individëve që deklarojnë në DIVA 2025 fëmijët në ngarkim dhe shpenzimet arsimore përkatëse, me kusht që të ardhurat e tatueshme vjetore të mos tejkalojnë 1,2 milionë lekë. Për çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç aplikohet një zbritje tatimore që korrespondon me shumën 48 mijë lekë, ndërsa për shpenzimet arsimore parashikohet një zbritje totale deri në 100 mijë lekë.

 

Si bëhet aplikimi dhe rimbursimi

Kërkesa për përfitimin e kompensimit paraqitet vetëm një herë dhe bëhet nga anëtari i familjes që ka të ardhurat më të larta vjetore. Autoritetet sqarojnë se e drejta për përfitim mbetet edhe në rastet kur individi nuk ka detyrim ligjor për të dorëzuar deklaratën DIVA 2025.

 

Procesi i rimbursimit realizohet përmes sistemit e-Filing, pas dorëzimit të deklaratës, në rast se nga përllogaritjet rezulton mbipagesë. Më pas, aplikuesi duhet të paraqesë një kërkesë për rimbursim në modulin “Çështjet e mia – Pyetje e Përgjithshme”, duke bashkëlidhur dokumentet e nevojshme, përfshirë të dhënat e llogarisë bankare personale, certifikatën familjare dhe dokumentacionin justifikues për shpenzimet arsimore, si kontratat me institucionet përkatëse dhe faturat e pagesave, përfshirë edhe ato për kurset e gjuhëve të huaja.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat