1.4 mld lekë për Tiranë-Durrës, ARRSH hap tenderin për rikualifikimin urban të superstradës
ARRSH nis tenderin për arredimin urban të aksit Tiranë–Durrës, paralelisht me zgjerimin e korsive.
Kostoja dhe përmbajtja e projektit
Arredimi dhe rikualifikimi urban i superstradës Tiranë–Durrës, nga kthesa e Kamzës deri në urën e Limuthit, parashikohet të kushtojë rreth 1.4 miliardë lekë. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përgatitur tenderin që përfshin fazat I, II dhe III të projektit, në një segment ku aktualisht po zhvillohen punime për zgjerimin e këtij aksi të rëndësishëm rrugor.
Hapja e korsive të reja për qarkullim
Brenda këtij muaji pritet të hapen për qarkullimin e automjeteve korsitë e reja të ndërtuara në segmentin që nis pas kthesës së Kamzës dhe përfundon te mbikalimi i Rinasit. Më herët, përfaqësues të ARRSH-së kanë deklaruar se kjo varet nga kushtet atmosferike, pasi moti i ftohtë nuk e favorizon shtrimin e shtresës përfundimtare të asfaltit, por pritshmëritë janë që të mos ketë pengesa në realizimin e afatit.
Hapja e korsive do të bëhet përpara afateve kontraktuale, pasi njëra kontratë ka afat përfundimi deri në muajin maj, ndërsa tjetra deri në shtator të këtij viti.
Faza e tretë dhe nyja e Laknasit
Kontrata e tretë e projektit është nënshkruar gjatë tremujorit të fundit të vitit 2025 dhe synohet që brenda këtij viti të ketë rezultate konkrete në terren. Kjo fazë përfshin ndërtimin e nyjes që lidh rrugën e Laknasit me projektin e zgjerimit të autostradës, në një zonë që sipas dokumenteve të tenderit karakterizohet nga zhvillim i lartë industrial dhe, së fundmi, edhe urban.
Parametrat e rinj të autostradës
Pas përfundimit të plotë të punimeve, autostrada Tiranë–Durrës do të ketë tetë korsi në total, nga katër në secilin drejtim. Shpejtësia e lejuar e lëvizjes do të variojë nga 90 deri në 140 kilometra në orë, duke synuar përmirësimin e ndjeshëm të qarkullimit dhe sigurisë rrugore në një nga akset më të frekuentuara të vendit.