Fermerët grekë pranojnë takim me Mitsotakis, por vijojnë protestat: Bllokohet aksi Kakavijë-Janinë
Aksi Kakavijë–Janinë bllokohet nga ora 12:30 për shkak të protestave të fermerëve.
Marrëveshje për takim, por pa ndërprerje të bllokadave
Fermerët grekë ranë dakord për zhvillimin e një takimi mes kryeministrit Kyriakos Mitsotakis dhe një komiteti përfaqësues të fermerëve, gjatë mbledhjes së Komitetit Panhelenik të Bllokadave Rrugore, e mbajtur në Palamas, pranë Karditsës në rajonin e Tesalisë. Komiteti do të përbëhet nga 25 përfaqësues të shoqatave të fermerëve dhe pesë vëzhgues, ndërsa data e takimit pritet të shpallet në ditët në vijim.
Pavarësisht dakordësisë për dialog, fermerët kanë vendosur të vijojnë protestat dhe bllokadat rrugore. Sipas presidentit të Federatës së Bashkuar të Shoqatave Bujqësore të Karditsës, Kostas Tzellas, protestuesit do të qëndrojnë në bllokada duke nisur nga e enjtja në mëngjes, ndërsa presidenti i Federatës së Larissës, Rizos Maroudas, ka dënuar aktet e dëmtimit të traktorëve gjatë protestave.
Bllokim i aksit Kakavijë–Janinë
Protestat e fermerëve grekë kanë sjellë paralizime edhe në akset rrugore që lidhin Shqipërinë me Greqinë. Policia Kufitare e Kakavijës ka njoftuar se, bazuar në informacionin e marrë nga pala greke, aksi rrugor Kakavijë–Janinë do të bllokohet nga ora 12:30 me orën greke, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, deri në një njoftim të dytë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë bllokimit do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që kanë emergjenca shëndetësore. Policia Kufitare Kakavijë u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe ka sugjeruar planifikimin e udhëtimeve në orare të tjera të ditës, për të shmangur vonesat dhe problematikat në qarkullim.