Inceneratori i Tiranës merr 1,4 mld lekë më 2025, totali arrin në 92 mln euro
Pagesat vijojnë edhe pse objekti kryesor i kontratës PPP nuk është realizuar.
1,4 miliardë lekë pagesa vetëm për vitin 2025
Gjatë vitit 2025, kompania Integrated Energy BV SPV, e cila mban kontratën PPP për inceneratorin e Tiranës, rezulton të ketë përfituar rreth 1,4 miliardë lekë pagesa nga buxheti i shtetit. Sipas të dhënave nga Open Data Albania, me këto pagesa totali i fondeve publike të transferuara deri më tani ka arritur në rreth 9,1 miliardë lekë, ose afërsisht 92 milionë euro.
Këto fonde janë alokuar në një kohë kur objekti kryesor i kontratës, ndërtimi dhe funksionimi i inceneratorit, nuk është realizuar. Pavarësisht mungesës së impiantit, pagesat kanë vijuar pa ndërprerje.
Pse vijojnë pagesat pa incenerator
Zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë deklaruar më herët për Monitor se pagesat kryhen mbi bazën e faktit se kontrata PPP nuk është shpallur e pavlefshme dhe vazhdon të jetë ligjërisht në fuqi. Në këto kushte, ministria argumenton se ka detyrim ligjor për të zbatuar kontratën dhe për të kryer pagesat e parashikuara, pavarësisht se investimi nuk është përfunduar.
Sipas kontratës, pagesat nuk lidhen drejtpërdrejt me ekzistencën e inceneratorit, por me ofrimin e asaj që quhet “shërbim i integruar i menaxhimit të mbetjeve”. Në praktikë, kontrata për ndërtimin e inceneratorit është reduktuar në depozitimin e mbetjeve në landfill, pa proces incinerimi, pa rikuperim energjie dhe pa teknologjinë që përbënte thelbin e projektit.
Tarifë fikse pa lidhje me rezultatin
Kontrata është hartuar në mënyrë të tillë që shteti paguan një tarifë fikse vjetore, e cila nuk kushtëzohet nga përfundimi i investimit. Kjo nënkupton se kompania përfiton fonde publike edhe në mungesë të impiantit, mjafton të deklarojë se është në “gatishmëri” për ofrimin e shërbimit.
Nga pikëpamja e menaxhimit të financave publike, kjo bie ndesh me parimin e pagesës kundrejt rezultatit dhe me eficiencën e shpenzimit të fondeve. Rreziku i projektit, që në një PPP normale duhet të mbahet kryesisht nga privati, është transferuar pothuajse tërësisht te shteti, duke rritur barrën për taksapaguesit çdo vit që kontrata vijon pa rinegocim ose ndërprerje.
Kompania nën sekuestro, por aktiviteti vijon
Aktualisht, kompania e inceneratorit të Tiranës ndodhet nën sekuestro dhe administrohet nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Megjithatë, në këtë fazë agjencia nuk është pronare e pasurive që administron, por vepron si kujdestare e përkohshme për asete nën sekuestro preventive, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Kjo do të thotë se ligjërisht shteti nuk i konsideron këto pasuri si të vetat, por si asete që duhet të ruhen dhe të mos humbasin vlerë. Për këtë arsye, aktiviteti ekonomik i shoqërisë lejohet të vazhdojë, ndërsa të ardhurat e krijuara nuk trajtohen si të ardhura buxhetore, por regjistrohen në llogaritë e vetë shoqërisë së sekuestruar dhe përdoren për shpenzime operative, paga dhe detyrime kontraktore, ose mbahen të bllokuara në pritje të një vendimi përfundimtar gjyqësor.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






